
Një nga mbrojtësit më të rinj që po afirmohet në kampionatin italian, është Marash Kumbulla. Shqiptari është pjesë e akademisë së skuadrës së Veronas, ndërsa kohet e fundit, ai po thërritet rregullisht nga trajneri i tyre, për të qënë pjesë e skuadrës së parë.
Aktualisht Verona luan në ligën e dytë të kampionatit italian, “Seria B”, teksa e sheh veten në vendin e 6, ku ka mbetur vetëm një ndeshje nga fundi. Ky pozicion në tabelën e renditjes do të thotë se ekipi verdhezi mund të shkojë në play off dhe mundësitë për t’u ngjitur në Seria A janë tepër të mëdha.
Përsa i përket mbrojtësit kuqezi, Kubulla është vetëm 19 vjeç dhe pak nga pak po arrin të afirmohet me skuadrën e parë italiane të Veronas. Këta të fundit arritën të merrnin një fitore tepër të çmuar ditën e djeshme, ku mposhtën ekipin e Foggias me rezultatin e ngushtë 2 me 1. Në këtë ndeshje i gatshëm në stolin rezervë për trajnerin e verdhezinjve, ishte edhe 19 vjeçari shqiptar, por pa mundur dot që të inkuadrohet në fushën e blertë.
Ndonëse është ende i ri, Marashi ka gjithë të ardhmen e tij përpara dhe klubi i Veronës mund të jetë një trampolinë e mirë që shqiptari të arrijë të afirmohet në arenën e futbollit Europian. Panuçi pak kohë para se të largohej nga drejtimi i Kombëtares e bëri të qartë se e kishte këtë lojtar në vëzhgim, ndërsa edhe trajneri Reja do të tregojë një përkujdesje të veçantë mbi Kumbullën. /Shqiperia.ch/