
Ky është vlerësimi i ndërtuar nga “Shqiperia.ch” sa i përket lojtarëve kuqezinjë, në humbjen 1-0 të Shqipërisë në transfertën ndaj Islandës.
Etrit Berisha (4)- Më shumë si një tifoz në fushë. Nuk është e lehtë të jesh portier dhe ndonjëherë duhet të vuash edhe vlerësime të pamerituara. Dy goditje të rrezikshme në portën e gardianit kuqezi, e para përfundon në rrjetë dhe ndërpret hovin tonë. Gjysma e notës që mund të merrej nga pritja shpëtimtare e golit të dytë, i hiqet duke parë lojën me këmbë. Topat e nisur nga Berisha, nuk e kalonin kurrë gjysmëfushën kundërshtare dhe ia lehtësonin punën kundërshtarit për të qënë prezent në fushën tonë.
Ardian Ismajli (5.5)– Konfirmohet si mbrojtësi i së ardhmes. Në rastin e golit të pësuar, nuk ishte përgjegjësi e tij. Ka gjithë kohën përpara për të përmirësuar edhe disa detaje të vogla, por premton te Shqipëria. Kërkon edhe një kopje të tijën në qendrën tjetër, megjithëse këtë herë luajtëm me tre qendërmbrojtës.
Kastriot Dërmaku(4)– Fiziku të tremb, megjithatë futbolli nuk është vetëm një lojë force dhe muskujsh. Teknikisht gabon në disa raste dhe një mbyllje që nuk u krye si duhet, i kushton Shqipërisë tre pikët. Duhej të ishte ndeshja e konfirmimit për të, por bën më të keqen e mundshme në rastin e golit.
Frederik Veseli(4)- Pak siguri ka me Veselin në qendrën e mbrojtjes. Lojtari i Empolit vazhdon të humbasë edhe duelet më të thjeshta, kur ka përparësi ndaj kundërshtarit. Madje këta të fundit luajnë edhe me nervat e tij, duke e humbur në shumë raste toruan.
Migjen Basha(5)- Nuk ishte ndeshja më e mirë e Migjenit. Megjithatë mesfusha fiton qetësinë e duhur me të dhe mund të thyej aksionet e kundërshtarëve. Mosha dhe vitet punojnë kundër, por eksperienca shtohet në shërbim të Shqipërisë.
Amir Abrashi(6)- Jo më kot quhet motorri i kuqezinjve tanë. Asnjëherë nuk lodhet dhe shihet kudo në mesfushë. Thyen aksionet nga njëra anë dhe i ndërton në tjetrën. Më i miri!
Taulant Xhaka(4)- Zhgënjimi më i madh i ndeshjes. Krosimet e tij nga goditjen standarte janë gjithmonë për t’u harruar dhe nuk kanë as rrezikshmërinë më të vogël për kundërshtarin. Në duelet një për një, i mbeten njësoj vetëm nervat në fushë, pasi klasi nuk shihet. Kërkohet shumë më shumë!
Ermir Lenjani (5.5)- Ka koncepte të qartë për mënyrën sesi duhet t’i dalë kundërshtarëve pas shpinës. Gabon vetëm në pasimin e fundit, por has vështirësi edhe nga fiziku që kanë rivalët. Skema e detyron që të jetë i kujdesshëm edhe për prapavijën, prandaj nuk hidhet shumë në aventurë.
Elseid Hysaj(4.5)- Nëse diferenca nuk vjen as nga lojtari i Napolit, atëherë kush do të mundet? Me skemën e re paraqitet më shumë në sulm dhe i shkon pranë golit. Ndonjëherë e humbet në pasime dhe stopime që në dukje mbeten elementare. Kur driblimi i del, Hysaj e tepron me vazhdimin e aksionit dhe mos dhënien e pasimit për te shokët e skuadrës. Gjysmë note më pak, për liderin që nuk mund të bëj në fushë.
Sokol Cikalleshi(5.5)- Shihet kudo, mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Jep gjithçka për fanellën dhe lufton pavarësisht lojtarëve që i vijnë për t’i marrë topin.
Bekim Bala(4)- Një tjetër zhgënjim për këtë ndeshje. Ndryshe nga Cikalleshi, Balaj shihej vetëm në duelet e ajrit kur kishte një top të gjatë dhe aty dështonte shpeshherë. Nuhatjen e portës e ka humbur çuditërisht dhe tregohet naiv në një rast, që mund të sillte edhe barazimin e takimit. /Shqiperia.ch/