
Portieri nga Kameruni që bën pjesë te Trepça, Theo Fodjo Lali duket se e ka me kohë të pjesshme praktikimin e futbollit. “Gazeta Olle” ka zbuluar se ky futbollist, punon në kompaninë e ndërtimit “Mehdi Construction” nga Mitrovica.
Kamerunasi erdhi si një përforcim i bujshëm pak kohë më parë te Trepça, ndërsa u shndërrua edhe në hero pasi priti tre penallti, që e mbajtën këtë skuadër në Ligën e Parë. Por të gjitha këto nuk mjaftuan, që Theo Fodjo Lali t’i përkushtohej vetëm futbollit. Ai punon rregullisht në kompaninë e ndërtimit, për të pasur më shumë të ardhura.
“Ka ardhur me vetëiniciativë për të kërkuar punë tek kompania jonë dhe ne i kemi gjetur ndihmë. E dimë se është sportist i mirë, e njeh gjuhën angleze, por gjithashtu edhe punëtor i mirë. Tek ne nuk punon rregullisht, por kohë pas kohe e angazhojmë kur kemi nevojë”, tha pronari i kompanisë Fadil Halilaj.
Nga ana tjetër, kryetari i Trepçës, Avni Haxhiu, i pyetur në lidhje me këtë çështje, shprehet. “Unë nuk kam njohuri. Edhe pse jam në biseda të rregullta me të, nuk më ka treguar. Edhe nëse ai gjatë kohës së pushimit punon, nuk kam se çfarë të them për këtë, pasi nuk e ka të ndaluar”, u shpreh Haxhiu. Një sjellje kjo tipike shqiptare, pasi Kosova do të aplikoj VAR-in në futboll si gjithë elita europiane, vetëm se Trepça ka lojtarë që këtë sport e kanë me kohë të pjesshme./Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/