
Keidi Bare ka dalë me karton të kuq mes lotëve gjatë ndeshjes së fituar nga ana e Malagas ndaj Oviedos, duke e lënë skuadrën e tij me 10 futbollistë. Duke ditur rëndësinë e madhe të këtij takimi, pasi diskutohet ende për ngjitjen në “La Liga”, mesfushori shqiptar ka shfaqur të gjitha emocionet për atë largim të papritur.
Trajneri Sanchez ishte i pari që shkoi për ta inkurajuar, ndërsa i doli në mbrojtje edhe në konferencën në shtyp, duke u shprehur se ishte e paqëllimshme. Në pamje të parë ndërhyrja “Kung Fu” paraqet shumë rrezikshmëri për kundërshtarin, por nëse shihet më vëmendje, atëherë kuptohet se qëllimi i Bares nuk ishte për të dëmtuar kundërshtarin.
Sigurisht, kartoni i kuq ishte i pashmangshëm, por te Malaga kanë luajtur një kartë për ta pasur lojtarin shqiptar të gatshëm për takimin e rradhës. Gjyqtari i takimit e ka vendosur arsyen e kartonit të tij si një goditje me takë në gjoksin e rivalit dhe me përdorimin e forcës të tepruar, por ende nuk është përcaktuar një element thelbësor në lidhje me një arsyetim të tillë. Siaps mediave spanjolle çështja i është kaluar organit kompetent dhe ka shumë gjasa që Bare të jetë gati që për Zaragozën në ndeshjen e rradhës. /Shqiperia.ch/