
Në vitet e fundit, futbolli është ndërtuar në një mënyrë të tillë që lojtarët të mos arrijnë shkallët e karrierës, në bazë të meritës që ata kanë realisht. Një fenomen global, atje ku një futbollist që zotëron një menaxher të mirë dhe ka median në mbështetje, shkon më shumë në aspektin e karrierës, sesa një tjetër që ka më shumë aftësi, por pak nga dy të parat e përmendura më sipër.
Për të folur dhe për një fenomen më të prekshëm, pasi ne gjithmonë jemi të apasionuar për t’i bërë gjërat në mënyrën tonë “alla shqiptarçe”, futbollistët me vlera të mëdha kanë shumë pak hapësirë. Le të flasim me emra konkretë dhe jo të tregohemi të përgjithshëm.
Myrto Uzuni dhe Ardian Ismajli janë dy lojtarët që në Kroaci kanë bërë bujë këtë sezon, falë nivelit që kanë treguar. Por asnjë prej tyre, nuk është parë në mediat sportive vizive. Gjithmonë personazhet e parë që shohim aty, janë ata futbollistë, që vetëm fushën nuk mund të thuhet se kanë prekur në këtë sezon.
Së fundmi në bazë të vlerësimit që bën media kroate “24sata.hr”, Uzuni dhe Ismajli janë shpallur futbollistët e vitit, në kampionatin e ashtuquajtur “pishina e talenteve”. Pikërisht këta lojtarë, që kanë 0 minuta në media, por 4500 të tilla të mbledhur së bashku në fushë.
Media ka për qëllim kryesor të përcjell situatën e vërtetë në kohë reale, e ajo sportive për t’i treguar lexuesit më tepër se çfarë ndodh në fushën e blertë nga protagonistët e saj. Por lajmin në Shqipëri, gjithmonë e përbëjnë më shumë ata që janë jashtë fushës dhe kjo është çmenduria. Mbyllni redaksitë dhe fikni kamerat, fundja, nëse nuk mbështeten dhe i jepet hapësira dy lojtarëve që shpallen si më të mirët në Kroaci, për kë po shërbejmë? /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/
Më poshtë do të gjeni edhe argumentimin e përmbledhur për Uzunin dhe Ismajlin, që janë shpallur si më të mirët e vitit.
Ardian Ismajli, argumentimi: Fizikisht ai është i përsosur. Ka fizikun më të mirë në kampionat. Nuk bën compromise në duele dhe nuk ka frikë për duelet tek për tek. Ka grumbulluar nëntë kartona të verdhë dhe këtu duhet të punojë. Tani do t’i rritet edhe çmimi. Për Ismajlin, ishte interesuar edhe Atalanta dhe nuk dyshojmë se do të ketë të tjera në verë.
Myrto Uzuni, argumentimi: Erdhi nga Laçi dhe ishte garancia e Besnik Prengës. E ka treguar vetëndhe kombinon në mënyrë ideale me Radonjivic. Ndeshjet e shkëlqyera me Lokomotivën i sollën edhe Shqipërinë në menu. Në 29 ndeshjet në kampionat, ka 7 gola dhe 8 asistime.