
Ergys Kaçe ka zhvilluar takimin e fundit me Panathinaikosin në këtë sezon, por edhe të karrierës sipas të gjitha gjasave. Kampionati në Greqi ka përfunduar, ndërsa sipas mediave helene, drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmend të blejnë kartonin e mesfushorit shqiptar nga PAOK-u, pasi nuk përshtatet me politikat e tyre edhe në termin financiar.
Por ndeshja e fundit ndaj Panetolikosit, e cila përfundoi me rezultatin 4-0, ishte disi paradoksale për Kaçen, që në tribunë kishte edhe vështrimin e trajnerit Reja. Zhbllokimi i ndeshjes do të vinte pas një penalltie të fituar nga mesfushori shqiptar brenda zonës, me kapitenin e Panetolikosit që ndërhyri në mënyrë të gabuar, duke i ndaluar gjuajtjen me kokë lojtarit shqiptar.
Sigurisht, duke parë fizikun e Kaçes, lojtari kundërshtar ka gabuar krejtësisht me veprimin për ndërhyrjen e tepruar në zonë, pasi koka nuk është arma më e fortë e mesfushorit kuqezi. Për më tepër, në kohët e fundit shpeshherë Kaçe ka përfunduar edhe në stol, por në atë që mund të etiketohet edhe si takimi i fundit me Panathinaikosin, shkëlqeu për 90 minuta si titullar. /Shqiperia.ch/