
Vetëm disa kohë më parë, talenti i madh i dalë nga Juventusi, Elvis Kabashi i dërgoi një letër FSHF-së duke i thënë që të mos e thërriste më, pasi ishte në pritje të Italisë. Sigurisht, pasi karriera e tij mori tatpjetën e madhe, kurrsesi italianët nuk mund ta merrnin në konsideratë një lojtar të tillë.
Në këto kushte, pasi arriti të siguronte marrëveshjen me Dinamon e Bukureshtit, Kabashi kërkon një ftesë nga Shqipëria. Sipas asaj që shkruan “Supersport”, vetë futbollisti e ka thënë hapur për mediat rumune se pret ftesën e Reja.
Të gjithë fajin për letrën e dërguar, ia hedh ish-menaxherit të tij, ndërsa shprehet se nuk kishte asnjë dijeni për të. E vështirë për t’u kuptuar, sesi një menaxher mund të bëj veprime pa dëshirën dhe miratimin e klientit të tij.
“Unë nuk kam asnjë arsye të vetme që të refuzoj Shqipërinë. Të gjithë këtë e bëri ish-menaxheri im sa i përket letrës, me të cilin jam në gjyq. Njerëzit kanë të drejtën e gjykimit, por unë jam i qetë pasi nuk dërgova asgjë në drejtim të Shqipërisë. Prindërit e mi janë shqiptarë dhe kam lindur në Itali. Por e di më së miri se kam gjak shqiptari”, ka thënë Kabashi. /Shqiperia.ch/