
Interi ka dërguar një ofertë konkrete te Napoli për të marrë Elseid Hysajn. Ky është raportimi i fundit që vjen nga Italia, megjithëse pak detaje janë të zbardhura deri në këtë moment. Shkodrani është vetëm një hap larg skuadrës për të cilën ka bërë tifoz që në fëmijëri, madje kjo do t’i dhuronte edhe “Champions League”.
E vetmja dilemë që ndoshta mund të prish të gjitha planet papritur, është ndërrimi i trajnerit të zikaltërve. Spaleti mbetet në dyshim për vazhdimësinë, megjithëse është ky njeriu që po ngulmon për Hysajn. Mbetet ende enigmë nëse Konte do të marrë drejtimin e Interit në të ardhmen, por derisa kjo të zbulohet, Hysaj mund të jetë zyrtarizuar te italianët.
Një tjetër sinjal që na shtyn të mendojmë për një marrëveshje që do të arrihet, janë edhe fjalët e thëna nga menaxheri i D’Ambrosio, Vicenzo Pisacane. Vetëm pak javë më parë ky i fundit i tregoi derën shkodranit, duke i treguar se klienti i tij luan gjithmonë përpara të gjithëve, prandaj do të ishte një zgjedhje e gabuar me fjalët e nënkuptuara.
Por së fundmi, në një intervistë për mediat italiane Pisacane tërhiqet paksa nga qëndrimi i parë. Tashmë menaxheri i D’Ambrosio i ka hapur dyert Hysajt: “A do vijë te Interi? Është shumë i fortë, megjithëse në kohët e fundit nuk e ka gjetur veten në nivelet e duhura, por është vërtet i mirë. Nëse Hysaj arrin me Konten, do të ishte i mirëpritur sepse skuadrat e mëdha duhet të kenë dy lojtarë për çdo rol në fushë”, ka thënë Pisacane. /Shqiperia.ch/