
Përpara rreth 6 vitesh, një klub i njohur në Bundesligë, Hanoveri, me plot 49.000 të pranishëm në shkallët e stadiumit, do të bënte një përulje drithëruese ndaj një futbollisti të Shqipërisë: Danke Altin! (Faleminderit Altin).
Një gjë të tillë nuk para e dëgjonim apo na rastiste për të parë, mesfushori i Kombëtares asokohe do të na bënte të gjithëve krenarë. Lala ishte një prej futbollistëve tipik të atyre kohëve, që hynte në fushë me kokën e ulur, luftonte aq shumë brenda saj, ndoshta edhe deri në ekzagjerim, për të dalë me kokën lartë në fundin e ndeshjes.
Lojtarë të tillë mungojnë në futbollin aktual, lojtarë të tillë i mungojnë Shqipërisë. Por siç e thotë edhe vetë protagonisti në fjalë, jeta është gjithmonë me cikle dhe ne jetojmë në këtë periudhë. Në një intervistë ekskluzive për “Shqipëria.ch”, Altin Lala ndalet në një rrëfim të gjatë për të komentuar Shqipërinë.
Nëse e nisim intervistën në retrospektivë, për të folur për kohën tuaj apo edhe të De Biazit, mesfusha ka qenë pika më e fortë e Shqipërisë. Këtë herë gjërat duken se kanë ndryshuar, teksa ndërtojmë më pak në fushë dhe kundërshtarët gjenden më lehtë në zonën tonë. Si e shihni mesfushën aktuale të Kombëtares?
Faktikisht ne duhet të mendojmë për një cikël që ekziston, vitet kalojnë dhe lojtarët nuk bëhen më të rinjë. Panuçi është përpjekur për të thirrur shumë lojtarë të rinjë në Kombëtare. Shpeshherë kjo shihet si një gjë negative, por nuk është vetëm e tillë, pasi mund ta konsiderojmë edhe pozitive. Për momentin gjërat nuk po ecin mirë për tifozët dhe opinionin sportiv. Ne kemi kaluar nga një periudhë europiani me De Biazin dhe kjo nuk ishte pak.
Në Shqipëri ekziston një “sëmundje” e hershme që gjithmonë dështimet ia faturojnë trajnerit, ndërsa në festë kërkojnë të marrin pjesë të gjithë. Sa i vërtetë është ky konstatim, që më parë do të theksohej edhe nga De Biazi?
Futbolli është shumë i shpejtë në rrjedhën e tij dhe të paraqet situata pozitie dhe ato negative. Kështu, kur ne fitojmë, na dërgojnë afër Botërorit, ndërsa kur humbasim, mendojnë se kemi marrë fund. Duhet të jemi më të qëndrueshëm, sepse çdo lojtar dhe trajner duhet të mbaj një ritëm të caktuar, si në humbje dhe në fitore. Kjo të bën që të jesh i suksesshëm.
Fitorja ndaj Izraelit dhe humbja ndaj Skocisë paraqiti dy tablo të ndryshme të Shqipërisë. Si i pa Altin Lala këto ndeshje dhe cilën prej tyre duhet të besojmë, për të përkufizuar Kombëtaren aktuale?
Me Izraelin pas fitores kishte eufori dhe kjo ishte mëse normale, më pas për të mbërritur te ajo humbje ndaj Skocisë. Më duhet të them se disa lojtarë janë të dëmtuar dhe nuk janë në formën e duhur. Mbi të gjitha, mediat duhet të merren dhe të shohin se shumë lojtarë nuk aktivizohen në kampionatet e tyre respektive. Mos harroni një gjë shumë të rëndësishme që unë e theksoj gjithmonë, lojtar nuk të bën Kombëtarja, por klubi. Kështu shumë futbollistët tanë nuk arrijnë të përballojnë dot me sukses 90 minuta.
Ke qenë një ndër protagonistët e Bundesligës vite më parë. Duke e njohur mirë futbollin e atij vendi, cili prej futbollistëve aktual të Shqipërisë do i përshtatej më mirë këtij kampionati?
Elseid Hysaj është një lojtar që mund ta përballonte Bundesligën, gjithmonë sipas mendimit tim. Bundesliga është kampionat i fortë fizikisht, hiq 3 skuadrat e para ka gjithmonë shumë rivalitet mes klubeve. Unë e përkufizoj si një kampionat që të streson shumë, pasi ka dyluftime gjatë gjithë kohës. Megjithatë unë personalisht kisha tipin e lojës të tillë, që më pëlqenin dyluftimet. Ndoshta edhe Xhaka mund të ishte mirë në këtë kampionat, por pa harruar edhe Roshin që ka luajtur për disa kohë në Gjermani.
Në Shqipëri fjala talent e ka humbur kuptimin, duke u përdorur pa dallim moshe. Çfarë mund të kuptojmë me fjalën talent sipas përcaktimit tuaj?
Nëse një lojtar është mbi 21 vjeç dhe ai vazhdon të quhet një talent që pritet të shpërthej, atëherë kjo çështje ka marrë fund!
Një koment i juaji në lidhje me një prej debutuesve të Kombëtares, Myrto Uzunin.
Shumë i lumtur kur te Shqipëria ka afrime të reja, por gëzohem edhe më shumë, kur shoh se thirren futbollistë që janë produkti i Shqipërisë. Uzuni ka arritur të shënojë në kampionatin ku luan, ka bërë mirë, e kam ndjekur me aq sa kam patur mundësi. Tashmë shansi i është dhënë, besimi i është rritur dhe mund të them vetëm se jam i lumtur, kur shoh lojtarë të rinjë në gjirin e Kombëtares.
Në Shqipëri tema aktuale janë futbollistët e ftuar nga Panuçi. Pra kemi lojtarë që luajnë në kampionatin shqiptar, teksa sapo largohen nga Superiorja, u mbërrin ftesa, megjithëse nuk kalon shumë kohë dhe flasim për po të njëjtit. Kaq shumë paragjykim ka për futbollin që luhet në Shqipëri?
Nëse një lojtar del jashtë, atëherë flasim për një futbollist me cilësi të mirë. Shpresoj që Shqipëria të vazhdoj të bëj hapa përpara, siç ka bërë deri më tani. Skënderbeu e ka treguar disa herë me paraqitjet e tij rritjen e cilësisë që ka kampionati ynë. Bardhi te Partizani ka bërë paraqitje jashtëzakonisht të mira dhe mendoj se mund të tentoj të dalë Shqipërisë, për të kërkuar edhe Kombëtaren më pas.
Kemi rastin edhe të Kristal Abazajt që shkon nga Luftëtari te Anderlehti, por duke pasur diferenca të mëdha, nga lojtar titullar në pankinë. Çfarë diferencash ka sa i përket stërvitjes që bëhet në Shqipëri dhe asaj jashtë?
Diferenca kryesore është ritmi, vetëm ritmi vihet re menjëherë. Shqipëria ka ndryshim të madh në këtë çështje me futbollin në Europë. Kur i shihja që bënin vrap aerobik në stërvitje lojtarët duke luajtur futboll, më ka bërë vërtet shumë përshtypje. Pata fatin që ika që i vogël. Është çështje mentale, sa herë më kanë dhëmbur kockat unë nuk jam ankuar. “Më ka dalë qumshti i nënës” në një farë mënyre, por përsa kohë nuk ke rënë në tokë, atëherë vrapo dhe jep maksimumin. Abazaj mund të dalë nga kjo situatë, i ka kualitetet. Por ai kërkon t’i marrë maksimumin eksperiencës së Anderlehtit dhe kjo ndikon disi në gjendjen e tij.
Kohët e fundit është diskutuar edhe për një ndryshim të paraqitjes së Hysajt nga Napoli te Shqipëria. Sa të vërtetë ka në të gjithën këtë?
Shiko, këtu njerëzit pretendojnë se Hysaj mund të bëj “vezë të kuqe”, ai nuk mund ta bëj diçka të tillë. Hysaj luan si mbrojtës i djathë dhe jo sulmues apo organizator. E bën shumë mirë detyrën që ka. Nuk mund të presësh që Hysaj të krosojë vetë nga një cep i fushës dhe po prapë vetë të shkojë për të shënuar me kokë. Mendojmë se është te Napoli dhe do bëj “vezën e kuqe”, por theksoj edhe njëherë pozitën e tij, është mbrojtës.
Kur mund ta shohim Shqipërinë sërish në Europian? Sa e largët do të jetë ajo kohë dhe çfarë duhet të ndryshojmë për të arritur deri aty?
Kur të çlirohet Shqipëria! (Qesh) Me sistemin që ka bërë “Nations League” shanset janë rritur mjaftueshëm. Ne duhet të kemi sërish pritshmëri të larta nga të rinjtë. Lojtarët duhet të përpiqen të jenë në formë, të luajnë në klubet e tyre ku ata aktivizohen dhe t’ia lehtësojnë disi punën trajnerit, që ky i fundit të ketë mundësinë e zgjedhjes. /Klaudio Ndreca- Shqipëria.ch/