
Dy takimet e rradhës për Shqipërinë do të jenë ato kundër Islandës dhe Moldavisë, që janë të vlefshme për kualifikueset e Europianit. Kombëtarja po vazhdon stërvitjen në Frankfurt të Gjermanisë, atje ku po zhvillohen edhe përgatitjet mbi skemat që do të përdoren ndaj Islandës.
“Shqiperia.ch” gjendet gjithmonë pranë kuqezinjve, ndërsa raportojmë edhe një detaj shumë të veçantë. Kombëtarja do të përballet me kushte ekstreme të motit, pasi të lënë Gjermaninë për t’u nisur drejt Islandës.
Lojtarët kuqezi janë duke i zhvilluar stërvitjet në Frankfurt, atje ku temperatura aktuale është në 30 gradë celcius. Ndërkohë në Islandë flitet për ekstremin tjetër sa i përket kushteve atmosferike. Atje temperatura aktuale është 6 gradë celcius, ndërsa së fundmi është përfshirë edhe nga erërat e forta. “Shqiperia.ch” mëson se disa fluturime kanë hasur vështirësi në misionin për të zbritur në Islandë, për shkak të erërave me shpejtësi të lartë, ndërkohë që mbërrin edhe një pjesë e stafit të Shqipërisë.
Ky është një faktor ndikues edhe në lojë, pasi na mbetet të shohim sesa do të përshtaten lojtarët e Kombëtares mes këtyre ekstremeve. Në kushte të tilla janë vetëm dy variante, që futbollistët e Shqipërisë të dalin si gladiatorë, pasi do të sforcohen mbi limitet e tyre në atë terren të vështirë në stadiumin e Islandës. Nga ana tjetër, një rezultat negativ i marrë në këtë transfertë dhe energjitë e shumta që do të humben në atë përballje, do të bënte që të rrezikonim seriozisht edhe një rezultat pozitiv në Shqipëri me modestët e Moldavisë. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/