
Trajneri Reja ka mbajtur një konferencë në “Tropikal”, sa i përket Kombëtares dhe misionit tonë në kualifikueset e Europianit. Kryefjala ishte padyshim ajo humbje e fundit ndaj Islandës, për të marrë më tepër komente rreth paraqitjes në fushë dhe mënyrë sesi italiani e interpretoi atë takim të kaluar.
Por sigurisht që nuk duhet harruar edhe ndeshje e nesërme e Shqipërisë, ku do të përballet me Moldavinë. Reja u shpreh se është e vështirë të jesh trajneri i Kombëtares, duke parë se lojtarët tanë janë të shpërndarë në kampionate të ndryshme të Europës.
“Për mua gjithçka funksionoi në mënyrën më të mirë, kemi krijuar shumë, tani na mbetet vetëm të punojmë për konkretizimin e rasteve. Kundërshtari e gjeti golin me vetëm një goditje në portë. Do të bëj disa ndryshime ndaj Moldavisë, pasi lojtarët në mesfushë kanë shpenzuar shumë energji. I kemi të gjitha mundësitë për ta bërë sa më mirë skemën 3-5-2, na duhen disa mesfushorë më të mirë. Me Islandën kishim rastin e Hysajt, që nëse do të konkretizonte me gjuajtjen në minutat e para, do të ndryshonte fatin e takimit.
Tre-katër ndryshime mund të jenë, kemi futbollistë si Uzuni apo Sadiku. Uzuni është gati, po ashtu edhe Sadiku, që të gjithë e njohim për mënyrën sesi arrin të realizojë me thjeshtësi. Sa i përket prapavijës, ata kanë bërë mirë në ndeshjen e fundit. Nuk ka skuadra të lehta, duhet të vazhdojmë si me Islandën, për të bërë ndeshje të bukura. Në Islandë ne luajtëm, e rikthesoj se ata na shënuan vetëm me një gjuajtje në portë. Unë shoh vetëm shtëpinë time, jo Francën dhe Turqinë. Pres që tifozët të vijnë dhe të mbështesin Kombëtaren, jo për trajnerin, por për skuadrën.
Objektivi është që të vazhdojmë të përmirësohemi dhe fjala e fundit nuk është thënë akoma. E rëndësishme është të dalim me kokën lartë. Nuk duhet të hyjmë në fushë për barazim apo humbje, por për të fituar. Kemi nevojë për atë fitore nesër, që të rritet edhe më shumë morali i lojtarëve. Është e vështirë për një trajner që të ketë lojtar që luajnë në kampionate të ndryshme në Europë, siç është Shqipëria. Kanë filozofi të ndryshme loje, pasi ata luajnë të gjithë jashtë”, ka thënë Reja. /Shqiperia.ch/