
Kombëtarja shqiptare ka dy ndeshje në muajin qershor, sa i përket kualifikueseve të Europianit. Më veçanërisht do të jetë ajo transfertë e parë ndaj Islandës, që konsiderohet edhe më e vështira, pasi ndaj Moldavisë duket gjithçka e lehtë në letër.
Por përsa kohë Ardian Ismajli të jetë në fushë, asnjë alarm nuk mund të ketë për kuqezinjtë. Futbollisti i Hajdukut ka kaluar një sezon fantastik, madje duke u shpallur edhe në 11-shen e vitit në Kroaci. Mbrojtësi kuqezi ishte i pranishëm në “Tropikal”, për të dhënë konferencën për shtyp në prag të përballjes me Islandën.
Hera e tretë që nga “Supersporti” vazhdon e njëjta pyetje provokuese: “Ardian, Kosova po fiton andej dhe Shqipëria po humbet këtej. Je penduar që na zgjodhe ne?”. Këtë herë edhe vetë lojtari nuk ka mbajtur më karshi këtyre provokimeve të pallogjikshme, duke u shprehur se nuk e kupton sesi një pyetje e tillë, vazhdon të përsëritet.
“Unë jam shumë i lumtur që jam këtu, nuk e di se përse ma bëni këtë pyetje. Ma keni bërë shumë herë. I kam shumë shokë edhe në Kosovë, por jemi këtu për ta kaluar këtë ngërc. E vërteta është se kisha paraqitje të mira me Shqipërinë dhe duhet të falenderojë lojtarët, pasi pa ata nuk jemi askush. Kualiteti i Islandës nuk diskutohet, por nuk janë si më parë. Ka pasur interesim nga Atalanta, por për momenti jam i fokusuar vetëm te Kombëtarja. Unë besoj se nëse i marrim tre pikë me Islandën, kemi shumë gjasa të kualifikohemi”, ka thënë Ismajli. /Shqiperia.ch/