
Kur gjithçka shkon mirë dhe vjen në vendin e duhur, vlerësimet janë ndonjëherë edhe një shtirje e turpshme. Sa e sa kritika mori ish-trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi, vetëm se i besonte aftësive të Emanuele Ndojit.
Mesfushori asokohe ishte në ndeshjet e para te Shqipëria dhe nuk mund të jepte maksimumin, në mënyrë krejtësisht llogjike. Por në vendin e tonë nuk ia dhamë një dorë ndihmuese, për ta inkurajuar për vazhdimësinë, me mediat dhe tifozët që i drejtoheshin trajnerit: “Çfarë e ke këtë lojtar?”.
Kalojnë disa muaj dhe Ndoji është lojtari që ngjiti Breshian në Serinë A, duke qënë protagonisti absolut dhe titullar i padiskutueshëm. Gjithashtu edhe me Kombëtaren ndaj Islandës, ishte një lojtar që i përkiste një tjetër kalibri në ato pak minuta që u aktivizua nga Reja.
Por për shkak të marrëdhënieve të acaruara mes agjentit të tij, Xhuifredi dhe presidentit të Breshias, Cellino, pritet largimi nga skuadra ku bën pjesë. Mediat italiane kanë raportuar së fundmi edhe interesimin e Milanit, për të marrë shërbimet e Ndojit. Për më tepër edhe vetë agjenti i këtij lojtari, ka qënë në shtëpinë e Milanit për të biseduar me drejtuesit e kuqezinjve, megjithëse nuk bëhet ende asgjë konkrete. Një tjetër skuadër që ka shfaqur interesimin për të marrë Ndojin në merkaton e verës, është edhe Bolonja. /Shqiperia.ch/