
Naser Aliji vendosi të largohej nga skuadra e Dinamo Bukureshtit, duke kërkuar ndryshimin e ambientit për sezonin e ardhshëm. Ajo që duhet theksuar është fakti se me këtë ekip mbrojtësi i majtë u rikthye në nivelet e larta, megjithëse ishin disa arsye që e shtynë drejt largimit.
Për herë të parë lojtari kuqezi ka folur hapur për mediat rumune, duke treguar arsyet e vërteta të largimit dhe vuajtjet e kaluara te Dinamo e Bukureshtit: “Unë nuk ika për shkakun e trajnerit, e kam marrë vendimin tim para mbylljes së kampionatit. Vendosa në këtë mënyrë pasi nuk isha më i lumtur te Dinamo. Një nga arsyet ishte se ne gjithmonë kishim kërcënime se nuk do të fitonim paratë, nëse nuk do të fitohej ndeshja.
Pastaj këtu njëherë në muaj, ishte një lojtar që dilte jashtë planeve të skuadrës. Kjo gjë mund të më ndodhte edhe mua një ditë. Unë nuk mundem ta harroj sesi nënshkrova me Dinamon. Doktori më dërgoi në Zvicër që të rikuperohesha dhe më pas drejtuesit donin të zgjidhnin kontratën time”, ka thënë Aliji. /Klaudio Ndreca-Shqiperia.ch/