You are here
Home > Kombëtarja > Dani Alveshi i vogël para të vëllait, Aliji: Ju tregoj për Shqipërinë, Zvicra është vendi më i mirë

Dani Alveshi i vogël para të vëllait, Aliji: Ju tregoj për Shqipërinë, Zvicra është vendi më i mirë

Pas shumë vështirësive, vjen gjithmonë momenti i lehtësimit. Ky është edhe rasti i Naser Alijit, që pas shumë problemeve që i solli jeta, në aspektin personal dhe të karrierës së tij, gjendja po rikthehet në nivelin e duhur.

Me Dinamon e Bukureshtit, Aliji është një titullar i padiskutueshëm dhe këtu flasim për ekipin e njohur rumun, që ka një histori të madhe në Europë. Së fundmi ka ardhur një tjetër rrëfim i gjatë nga ana e mbrojtësit të Kombëtares, që flet për gjithçka, që nga Shqipëria e deri te idhulli i vërtetë, vëllai.

“Unë ndihem gjithmonë e më mirë, i përshtatur me jetën në Rumani. Ishte paksa e vështirë të ambientohesha në këtë vend. Megjithatë unë jam shqiptar dhe ne nuk ndryshojmë shumë nga njëri-tjetri, jemi njësoj pjesë të Europës. E vështirë të jem larg familjes sime, por tashmë ndodhemi këtu. Kultura dhe mentaliteti mes shqiptarëve dhe rumunëve, ka ngjashmëri.

Megjithatë Zvicra është vendi më i mirë për të jetuar sipas meje. Kjo për kualitetin e jetesës, sigurinë dhe sistemin që funksionon. Më e mira që mund të marrësh. Unë kam lindur në Shkup me prindër shqiptarë. Kur isha katër vjeç lëviza me familjen në Zvicër, në Baden, që është 20 minuta larg Zyrihut.

Kur mësuesit na pyesnin kur ishim të vegjël se çfarë donim të bëheshim, shumë thonin: “Doktor, polic, garues të Formula One”. Ndërsa unë gjithmonë shprehesha: “Dua të bëhem futbollist”. Po ju them të vërtetën, nuk e kam pasur asnjëherë një plan B, vendosa gjithçka në ëndrrën time.

Sa i përket idhullit tim, unë jam një tifoz i flakët i Dani Alveshit. Por idhulli im i vërtetë është vëllai im, Nuhi, një model i gjithi për t’u ndjekur nga mua. Ai ka luajtur gjithashtu futboll, por është larguar pasi u operua 5 herë. Gjithashtu edhe Nuhiu luante në krahë si mua, por ishte më shumë sulmues. Vëllai është idhulli im. Kur unë nuk luaj mirë, më tregon gjithmonë realitetin dhe se çfarë duhet të bëj. E ka vendosur jetën e tij në plan të dytë, vetëm për mua.

Për të kaluar edhe te ajo fitore e jona në Europian ndaj Rumanisë. Ishte fantastike. Kur je fëmijë, ëndërron për të luajtur në Europian apo Botëror. Ishte një çmenduri e madhe mënyra sesi u përjetua në vendin tim. Fatkeqësisht nuk kisha mundësinë të luaj, por ishte një eksperienc e paharrueshme”, ka thënë Aliji. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top