
Në kohën kur mediat online dhe interneti nuk funksiononte në të njëjtën mënyrë ashtu si edhe sot, kishte teori të shumta për lojtarët që nuk zgjidhnin Shqipërinë, për të përfaqësuar një tjetër Kombëtare. Por aktualisht gjithçka zbardhet lehtësisht dhe pak dyshime ka sa i përket rasteve të ngjashme.
“Tradhëtari” i rradhës në konceptin sportiv, quhet Kristos Shehu. Në Greqi e quajnë ndryshe edhe “Ibrahimoviç i ri”, për stilin e lojës që praktikon. Lojtari në fjalë është pjesë e Panathinaikosit, ndërsa së fundmi sulmuesi 19-vjeçar i është bashkuar edhe ekipit të parë.
Përse nuk zgjodhi Shqipërinë? Nuk ka nevojë për shumë aludime, ky futbollist ka qënë më parë pjesë e të rinjëve tanë, por më pas zgjodhi të kalonte te helenët. Për t’i qartësuar edhe më shumë gjërat, mendon media greke “Sport24.hr” e cila i kushton një artikull këtij futbollisti: “Vendimi i tij ka shkaktuar reagim të madh edhe te Shqipëria, pasi u humb një talent i madh. Por Shehu beson se kjo zgjedhje që bëri, do e ndihmojë edhe më shumë me karrierën e tij”, shkruan media greke. /Shqiperia.ch/