You are here
Home > Kombëtarja > Çfarë ndryshimi ka mes një…gote uji? Krahasimet e pakuptimta, futen edhe mes Kosovës e Shqipërisë

Çfarë ndryshimi ka mes një…gote uji? Krahasimet e pakuptimta, futen edhe mes Kosovës e Shqipërisë

Në Shqipëri janë mësuar gjithmonë që të bëjnë krahasime edhe mes atyre situatave të cilat kanë pak lidhje me njëra-tjetrën, për të mos thënë aspak, vetëm për t’u përmbushur një qëllim i caktuar, banal shpeshherë.

Në ditët e fundit, duke parë rezultatet e marra nga Kosova dhe Shqipëria, të gjitha mediat duke bërë një krahasim mes të dyja ekipeve respektive, për të parë se kush ka grupin më të fortë të lojtarëve.

Sigurisht, një krahasim i tillë është njësoj sikur të thuash: “Çfarë ndryshimi ka mes një…gote uji?”. E pakuptimtë apo jo? Ngjason shumë me situatën në të cilën flasim. Kosova është një realitet i ri dhe të gjithë po e njohin atë, edhe ata që kanë bërë nazet e tyre në fillim.

“Dardanët” me Shaland janë të pathyeshëm, ndërsa kundër disa ekipeve modeste shpeshherë, janë duke korrur shumë sukses. Pa harruar edhe disa prova të vërteta, si ajo ndaj Azerbajxhanit, ku Kosova doli me pikë nga një transfertë e vështirë.

Por për të folur më tepër, është ende herët. Në një kualifikuese ka marrë pjesë Kosova, pas atij pranimi në organizmat më të lartë, ndërsa tashmë gjendet edhe në “Ligën e Kombeve”.

Eksperienca do të ndikojë pafundësisht për të dënuar këtë skuadër, sado të shmanget e gjitha kjo. Malta e tregoi, pavarësisht se nuk e pa asnjëherë portën kundërshtare, me të vetmin krosim drejt zonës, pa asnjë pretendim, topi hyn në rrjetë. Pas ndeshjes dhe pas asaj fitore, askush nuk e kujtoi, por kjo situatë ishte për t’u komentuar gjerësisht pasi tregon mungesën e vëmendjes dhe të eksperiencës.

Nga ana tjetër kemi Shqipërinë, e cila i përmbushi të gjithë pritshmëritë e saj me atë arritje në Europian. Kombëtarja e De Biazit i bëri të gjithë për vete, duke na krenuar edhe në eliminatoret e Francës. Tashmë situata është më ndryshe, kemi të bëjmë me një krizë rezultatesh.

Një grup lojtarësh që kanë vite së bashku dhe janë të konsoliduar së bashku, por që herë pas herë, tregojnë nga ato luhatje që janë gjithmonë për t’u përmirësuar. E për t’i vendosur në një peshore, flasim për një realitet të vjetër dhe një të ri. Atëherë, ku qëndron baza e krahasimit tuaj?

Kosova do të vazhdojë të korr suksese të njëpasnjëshme, pasi grupi i saj me potencial të madh premton shumë, por për të arritur deri në majën më të lartë, duhet të nisësh të ngjitësh disa shkallë. Këto janë të parat për “dardanët”. /Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top