Në ndeshjen miqësore mes Shqipërisë dhe Uellsit, pikëpyetja e madhe përpara nisjes së takimit për disa “tifozë”, nëse mund të quhen të tillë, nuk ishte nëse Kombëtarja jonë do të fitonte apo jo, por a do të vinte në “Elbasan Arena” Gareth Bale ? Ylli i Real Madrid theu çdo rregull apo kërkesë të skuadrës spanjolle duke vendosur të vizitojë Shqipërinë. E gjithë kjo “sakrificë” meritonte shpërblim ndonëse Giggs nuk u tregua aq dashamirës me këtë fakt. Ndoshta me të drejtë duke evidentuar ndonjë rrezik lëndimi.
Në këto kushte trajneri uellsian ofroi vetëm 30 minuta për Bale. Rruga prej afro 4000 kilometrash, Uells-Shqipëri-Spanjë, shkoi dëm për një minutazh që për një lojtar si ylli madrilen as që vihen në diskutim. Një taktikë e gabuar kjo nga ana e trajnerit, që e hodhi Bale në fushë pasi pak sekonda më parë Bekim Balaj kishte shënuar nga pika e bardhë.
Sipas gjasave nëse Shqipëria nuk do të shënonte, sulmesi uellsian do të vijonte të ndiqte ndeshjen nga stoli. Megjithatë Bale sakrifikoi ndoshta jo për Giggs, por për mbi 2000 tifozët e ardhur nga përtej kufirit duke mos llogaritur vështirësitë e rrugës. Në fund sulmesi i Realit dhuroi edhe disa selfie(foto) me adhuruesit e tij që pushtuan stadiumin për të, me vërshëllimën përfundimtare të kryesorit të ndeshjes. /Shqiperia.ch/