U21/ Shqipëria mposht Islandën në Reikjavik (VIDEO)

Kombëtarja Shpresa shkëlqen në Reikjavik, ku triumfoi 3-2 në trasfertën me Islandën. E ligjshme festa e skuadrës së Alban Bushit, që pasi flirtoi me fitoren në ndeshjen e parë ndaj Estonisë dhe humbi në mënyrë të pamerituar në shtesë në Irlandën e Veriut, tani dha një provë force dhe karakteri.


Kjo edhe për faktin se kuqezinjtë e panë veten në disavantazh në minutën e 45-të, pas golit të Andresson. Reagimi ishte i menjëhershëm me Kristal Abazajn që shfrytëzoi asistin e Durmishajt duke bërë që skuadrat të shkonin në pushimin ndërmjet pjesëve në barazim.


Në të 65-ën Abazaj shfrytëzoi sërish asistin e Durmishajt dhe pas shkëputjes për më tepër se 50 metra kaloi Shpresat në avantazh. Festa zgjati vetëm gjashtë minuta, pasi Islanda ndëshkoi një nga shpërqendrimet e pakta të mbrojtje me Einarsson.

Megjithatë forca e kësaj Shqipërie ishte te reagimi, me golin e Durmishajt në të 75-ën, që vulosi suksesin 3-2. Një fitore e madhe dhe nga të paktat që Shpresat anë regjistruar jashtë fushë në kualifikueset zyrtare.


E fundit ka qenë ajo në Lihtenshtejn përpara dy vjetëve, ndërsa përballë rivalëve të mëdhenj kuqezinjtë kanë shkëlqyer në mars të 2014-ës, me shifrat 3-1 në Austri dhe në Nëntor të vitit 2013, 2-0 në Hungari. Në të dyja ato raste në stol ishte trajneri Skënder Gega.

About the author

GALERIA