Taulant Xhaka merr vendimin përfundimtar për Kombëtaren

Taulant Xhaka është shprehur për “Shekulli” se nuk janë të vërteta lajmet e publikuara ditët e fundit në media rreth marrëdhënieve të tij me trajnerin Panuçi. Ai thekson se çdo gjë është në rregull dhe pret me padurim rikthimin te kuqezinjtë.

Ky është një lajm mjaftë i mirë për kombëtaren kuq e zi e cila është në prag të përgatitjeve për dy ndeshjet e ardhshme të muajit shtator në kuadër të eliminatoreve të botërorit “Rusi 2018”.

Situata te kuqezinjtë ka ndryshuar pasi tashmë trajner nuk është më Gianni De Biasi por Christian Panuçi. Trajneri i ri nuk është njohur akoma me kontingjentin e futbollistëve që ka në dispozicion. Kjo përbën një shqetësim pasi në dy ndeshjet që zhvillohen në shtator duhen patjetër grumbullimi i 6-të pikëve për të ruajtur vendin e tretë në tabelën e klasifikimit çka është edhe objektivi kryesor i ekipit.

Por nuk ishte e thënë që trajneri i ri të mos trashëgonte problemet e lëna pas nga De Biasi. Me të mbërritur në krye të kombëtares, Panuçi theksoi se do të bise donte me Xhakën për të vendosur nëse lojtari do të kthehej apo jo në skuadër.

Ai udhëtoi për në Basel për tu takuar me mesfushorin por që rezultoi të ishte një dështim. Takimi mes tyre nuk ndodhi pasi lojtari nuk u aktivizua gjatë ndeshjes së skuadrës së Baselit dhe kjo bëri të mundur që ai të stërvitej pas përfundimit të ndeshjes bashkë me disa shokë të skuadrës. Diçka e tillë rezultoi përcaktuese në dështimin e takimit mes tyre.

Pas këtij episodi në media u përfol gjatë se kjo nuk ishte tjetër veçse një përçarje mes trajnerit dhe lojtarit. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i mesfushorit në rrjetin social Facebook i cili mohonte një krisje me Panuçin dhe kërkonte rikthimin sa më të shpejtë në kombëtare. Tashmë mund të themi me siguri se lojtari do të jetë pjesë e skuadrës në ndeshjet e radhës. Largimi i tij nga kuqezinjtë erdhi në fundin e muajit mars në ndeshjen me Italinë.

Ai u la jashtë nga De Biasi me pretendimin se nuk i bindej urdhrave të trajnerit por lojtari hodhi poshtë çdo gjë pasi u shpreh se shkaktari i largimit të tij është trajneri De Biasi. Me uljen në stol të trajnerit të ri mbetej të shihej se çfarë udhe do të mernin ngjarjet por fatmirësisht gjithçka është në rrugën e duhur.

Panuçi pasi të njihet me grupin e lojtarëve do të vendosë dhe formacionin përfundimtar që do te hedhë në fushë.

Duke e njohur pak trajnerin për stilin e lojës që aplikon mund të themi se Xhaka do të jetë një lojtar titullar në kombëtare për shkak të aftësive të mira që ka taktikisht dhe fizikisht. Ai pritet të rreshtohet përkrah me Abrashin me mesin e fushës për të funksionuar si urë lidhëse mes mbrojtjes dhe sulmit.

Shqipëria do të luajë në datën 2 shtator ndeshjen e parë me Lihtenshtejnin në “Elbasan Arena” ndërsa pas tre ditëve do të luajë derbin e ballkanit me Maqedoninë.

Ndeshje jo e leht pritet të jetë ajo ndaj Maqedonisë pasi ka brenda saj një tension mjaft të madh etnik. Për më tepër që është caktuar që do të zhvillohet në qytetin e largët të Strumicës në kufi me Bullgarinë. Vendim ky që ka ngjallur një debat të madh. FSHF i ka bërë thirrje UEFA-s që ta transferojë sfidën në stadiumin e Shkupit.

Përgjigja përfundimtare e UEFA-s do të jepet në datën 25 gusht.

About the author