Starti i kualifikueseve, vetëm Shqipëria besnike dhe pa revolucion

Në këtë nisje të kualifikueseve për Botërorin “Rusi 2018”, Shqipëria është renditur përkrah dy ekipeve pretendente që kanë fituar me lehtësi ndeshjen e parë. Ndryshe nga ato, skuadra e De Biazit është dashur të luante në dy ditë të ndryshme për të arritur trepikëshin e parë përballë Maqedonisë.

Besnikëria

Kuqezinjtë i kanë mbetur besnik grupit të lojtarëve që kanë luajtur edhe gjatë kualifikueseve të kaluara, apo edhe në Europian. Me përjashtim të largimit të Canës, pjesa tjetër e skuadrës është e pandryshuar. Është bërë vetëm rikthimi i Hykës, si dhe në grup janë afruar Manaj e Strakosha. Tre emra që nuk përbëjnë revolucion dhe ndryshime thelbësore.

formacioni

Edhe pse në formacion u vu re që të provohej rreshtimi 3-5-2 gjatë ndeshjes me Maqedoninë, sërish starti i saj ishte me një modul shumë të njohur për kuqezinjtë: 4-5-1. Ndryshe nga homologët e tij, Xhani De Biazi nuk ka ndryshuar shumë dhe nuk ka preferuar që të eksperimentojë. Ai kërkon që ta shfrytëzojë këtë fakt, për të pasur si armë të fortë konsolidimin e ekipit dhe lojën me një skemë që e njeh mjaft mirë dhe me anë të së cilës në të shkuarën ka përballuar me sukses skuadra të madha e me shumë eksperiencë.

Të tjerat

Italia, Spanja, Izraeli e Maqedonia janë ekipe që kanë disa ndryshime në ekipet e tyre, dy favoritet kanë trajnerë të rinj në drejtim, po ashtu edhe futbollistë të rinj e të rikthyer. Tek “axurrët”, me përjashtim të repartit të prapavijës, që ka qenë i njëjtë me atë të Italisë së Kontes, pjesa tjetër e skuadrës ka pësuar një sërë ndryshimesh dhe risish, si në emra, ashtu edhe në vendosje.

Me ardhjen e Venturës, Antoneli, Verrati e Donaruma janë emra që duket se do t’i japin një tjetër fizionomi Italisë. Ndërsa te Spanja, jo vetëm trajneri që është i ri, por tashmë janë afruar edhe lojtarë si Koke e Diego Kosta, ndërsa është komentuar shumë largimi i Iker Kasijasit nga planet e kombëtares. E njëjta gjë është edhe me Maqedoninë, e cila me trajnerin e ri ka ndryshuar një sërë lojtarësh në organikën e saj.

/PanoramaSport

About the author