Speciale / Këta janë 100 burrat që kanë bërë historinë e derbit

Vigjilja e derbit të Milanos është pak a shumë njësoj si mesha e prag Krishtlindjeve përpara sheshit “Duomo”, një traditë shumëvjeçare me rituale të veçanta, por që i kanë rezistuar kohës. Milanistët pëshpërisin për 6-0 që turpëroi portierin Frei, për pritjen e Abiatit ndaj Kallonit, për Steinar Nilsenin që i shënon Paljukës dhe më pas hidhet në vijën anësore… Ndërsa interistët fillojnë të kujtojnë deklaratat motivuese të Bertit, pritjen e penalltisë së Ronaldinjos nga Hulio Sezar, Bekalosin që këmbëngul duke kërkuar falje…

Zaneti-Maldini

Por kjo histori 108-vjeçare ka menduar që të ngrejë gjithashtu pyetje të mëdha, si: Cilët kanë qenë dy lojtarët më vendimtarë në derbi? Për milanistët vlejnë më shumë golat e Van Bastenit apo të Ueah? Në historinë e Interit, cili u ka dhënë më shumë shqetësime “kushërinjve”, Stankoviç apo Simeone?

Të gjithë kanë përgjigjet e tyre, por “Gazzetta dello Sport” ka bërë studimin e saj duke dalë në konkluzionet e veta: Për Milanin, Shevçenko është medalja e artë, Maldini i argjendtë dhe Nordahl i bronztë. Për Interin, podiumi është Meaca-Niers-Milito. Pa dyshim që jo të gjithë do të jenë dakord, por e përditshmja prestigjioze milaneze është munduar të shpallë 100 figurat (50 për secilën) që kanë bërë historinë e derbit të “Madonnina”-s.

“Gjilpëra”

Për të bërë një gjykim më të qartë nevojitet një rregull, një ndarje kategorike vlerësimi: Të parët renditen simbolet, fenomenët, kampionët dhe ata që në derbi janë ekzaltuar në derbi, thuajse “pa dashur”. Një simbol? “Gjilpëra” Altobeli, 7 gola kundër Milanit. Së bashku me të në rangun e lojtarëve simbol, Shevçenko, i cili mban edhe rekordin e golave në derbit në kampionat, përveç avantazhit në 1-1, në ndeshjen gjysmëfinale të kthimit, në Champions-in e vitit 2003, ndoshta derbi milanez më i rëndësishëm i historisë.

Pastaj vijnë me radhë Maldini e Meaca, Nodahl dhe Milito. Boninsenja e Faketi që vendosën Inter-Milanin e ditës së parë të kursimit, në një ditë kur trafiku i makinave u ndal si rrjedhojë e krizës së naftës. Por këtu nuk mund të mungojnë as Rivera dhe Ronaldo… Shumë e lehtë të bësh këta emra, sepse këta i njohim të gjithë. Por le të bëjmë një udhëtim tjetër, pak më të çuditshëm dhe më “pikant” mes historisë së këtij derbi madhështor dhe protagonistëve të tij.

Limoni

Kategoria e dytë e vlerë- simit: lojtarët kult të derbit. Të fortë, por në derbi gjithmonë kanë ofruar një marsh më shumë. Milani përfaqësohet me Gatuzon, i cili kundër Interit shpeshherë kishte edhe nuanca të Rivaldos. Në vitin 2003, edhe pse jashtë koordinimi dhe me pak ekuilibër, ai arriti të ofrojë një asist magjik me të majtën për Kakanë.

Një tjetër lojtar i fortë kuqezi është Abiati. Uebsajti i tij publikoi një ditë renditjen e pritjeve më të bukura të bëra prej tij, ku në krye të listës qëndronte zgjatja mahnitëse, pas goditjes me kokë të Tiago Motës. Gjithsesi, për tifozët milanistë vlen më shumë një tjetër, dalja kundër Kallonit, në gjysmëfinalen e Champions-it të vitit 2003. Interi mund të kundërpërgjigjet me Bertin dhe Lorencin.

Nikola Berti, në derbi, kishte gjithmonë një fytyrë të skuqur, një nuancë e ngjashme me dikë që e kishin marrë me shpulla, por edhe atë shumëzojeni me 10. Goli i tij i preferuar mbetet ai i 3-1, i prillit 1995: gjuan dhe topi përfundon në rrjetë, pasi fillimisht përplaset në traversë dhe më pas karambolon në trupin e Sebastiano Rosit.

Një zgjedhje sadiste mund ta quajmë… Tani që është në rolin e komentatorit, ai ka treguar disa nga përgatitjet e pragderbit: nxehej në palestër dhe e mbyllte duke bërë seanca gjuajtjeje në portë, por duke vënë disa fytyra milanistësh në kuadrat. Shënjestrat e tij të preferuara ishin Barezi, Kostakurta e Maldini.

Ndoshta, më antimilanist se Berti ka qenë vetëm “Helmi” Lorenci. Legjenda e një limoni të vënë prej tij poshtë topit, në mënyrë që Kuçiaroni të gabonte ekzekutimin e penalltisë kalon nga njëri brez në tjetrin. Një tjetër lojtar me sjellje jashtë kategorie, Xhimi Grivs. Në vitin 1961, ai u gjobit pak orë përpara derbit pasi ngiste i dehur makinën. Por, edhe pse i tillë, të dielën zbriti në fushë dhe i shënoi Interit.

Treni

Kategoria e radhës, ajo pasionante, ajo e derbeve antikë. I pari u luajt në vitin 1908, për Kupën e Kiasos, në Zvicër. Lojtarët udhëtuan me tren, duke ngrënë bukë me sallam, por në fushë fitoi Milani. Personazhet simbol, Lana dhe Ceverini. Lana shënoi në derbin e parë (në Kiaso), në derbin e parë të kampionatit, por edhe në ndeshjen e parë me Kombëtaren italiane.

Njeriu prehistorik, Cevenini, bëri para-mbrapa në klubet e qytetit verior, Milan-Inter-Milan-Inter, për më shumë se një dekadë. Kundrejt tij, Ibrahimoviç duket një lojtar që ka lëvizur pak nëpër skuadra të ndryshme, ndërsa Meaca, kur mori vesh se duhej të linte Interin për të kaluar te Milani, shpërtheu në lot, ndonëse i qëndroi paktit.

Kufjet

Deri këtu, gjithçka e bukur dhe e rregullt, por derbi ka ditë që shpërthen dhe vë në vitrinë personazhe të çuditshëm. Në vitin 1986, derbi i parë i epokës “Berluskoni” u vendos nga Xhuzepe Minaudo, vjeç 19, i ardhur nga pankina e Interit. Vite më pas, dikush e intervistoi dhe heroi i atij derbi punonte si shitës sigurimesh në Brianza.

Te Milani ndërkohë, heroi për një ditë është Xhani Komandini, në 2001, vit në të cilin bluza me numër 9 ishte një mallkim për këdo që e vishte. Pas asaj nate, ai u shenjtërua si një prej yjeve të rinj që po lindin, por drita e tij zgjati vetëm 90 minuta. Më 11 maj, luhej një derbi i çuditshëm, me dy ekipet që ishin eklipsuar. Interi e mbylli i pesti, Milani i gjashti. Gjithsesi, atë natë, derbi përfundoi 6-0 dhe dy golat e parë mbanin firmën e Komandinit.

Kur vari këpucët në gozhdë, askush nuk qau, nuk kërkoi as sigurimet e profesionit për të përfituar pensionin. Madje, në ditën e lamtumirës së tij nga futbolli, ai u fotografua me kufjet në vesh, sepse menjëherë kishte ndryshuar profesion, ishte shndërrua në një “deejay”. Prandaj, nëse edhe derbi i natës së sotme duhet të ketë një hero të tillë, për të qenë paksa i çuditshëm, atëherë duhet ekzagjeruar: Fiton Milani 1-0 me gol të Gustavo Gomezit. Ose 0-1 për zikaltrit, vendos Ansaldi.

Lojtarët simbol të Milanit

1. SHEVÇENKO – Golashënuesi më i mirë i historisë së derbit me 14 gola.
2. MALDINI – Rekordmen me 56 derbi të luajtur, nga mosha 17 deri në 40 vjeç dhe madje me rekordin e 17 fitoreve, si askush tjetër.
3. NORDAHL – 11 gola të shënuar, në podium prej një pafundësie, njeriu vendimtar për titullin e vitit 1951.
4. KAKA – Milanisti që ka mesataren e notës më të lartë që prej vitit 1980.
5. RIVERA – Lider dhe 5 gola në derbi. Me atë në fushë Milani nuk humbte kurrë.
6. F. BARESI – Derbin e parë e luajti 18 vjeç, gjithsej në karrierë 29 ndeshje.
7. LANA – Historia. Goli i parë për Milanin në derbin numër 1 (Kupa Kiaso 1908) dhe goli i parë në derbin e parë në kampionat.
8. ALTAFINI – I vetmi me 4 gola të shënuar në një ndeshje të vetme (1960). Përveç tyre, edhe tre gola të tjerë të realizuar në karrierë, sërish me një peshë të madhe.
9. ABIATI – Pritja ndaj Kallonit në vitin 2003 dhe ajo ndaj Tiago Motës, super…
10. HATELI – Goli me kokë mbi Kolovatin është posteri i vërtetë i historisë milaniste.
11. SEDORF – Përmbysi duelin e vitit 2004 dhe dha asistin për Shevën në Champions.
12. GULIT – Tre gola, e majta e vitit ’88 ndaj Zengës ndryshoi vitet ’80. 13.
VAN BASTEN – Tre derbi të vendosur prej tij me tre gola dhe çfarë duelesh me Ferrin.
14. BENETI – Pesë gola në pesë derbi të ndryshëm dhe nuk po flasim për një sulmues.
15. INZAGI – Katër gola në 4 derbi, të gjithë të fituar. Dhe në 2003… ai ishte.
16. UEAH – Tre gola, njëri vendimtar në vitin ’87, një tjetër në vitin e titullit kampion.
17. KOMANDINI – Dy golat që hapën fitoren 6-0 me Interin si pritës në 2001-shin. U mjaftua me kaq.
18. VAN HEGE – I pari jashtëtokësor nga jashtë Italisë, 7 gola, një dopietë në suksesin 6-3 të vitit 1911.
19. BOFI – Vitet ’30-’40, bomberi i katërt më i mirë milanist i të gjitha kohërave me 6 gola.
20. DE VEKI – Dopietë në derbin e 1979-ës (2-2).
21. MASARO – Specialiteti i tij, të shënonte gol atëherë kur duhej. Dy decizivë në vitin 1989.
22. BIGON – Gol deciziv në vitin 1971 (dopietë), gol deciziv në vitin ’72, gol deciziv në vitin ’76
23. A. MALDERA – Vendosi ndeshjen e vajtjes në vitin 1979, viti i yllit të parë dhe finales së Kupës së Italisë 1977.
24. VIRDIS – Katër gola nga viti ’85 në vitin ’88. Në vitin ’87 shënoi vetëm pesë minuta nga fundi.
25. NESTA – Mesatarja shumë e lartë e notës, 6.37 për ndeshje. Nga viti 1980 është i teti në renditjen e përgjithshme.
26. PIRLO – Komandanti i mijëra betejave në vitet 2000.
27. KOSTAKURTA – Për prezenca është i dyti pas Maldinit. Një gol i kotë në vitin 1990.
28. TRERE – Goli i parë në histori në derbin e kampionatit. Nevojitet gjë tjetër?!
29. GATUZO – Asist me të majtën për Kakanë në vitin 2003 dhe gjuajtjen që dërgoi te 1-0 Kakanë në vitin 2004.
30. PRATI – Dy gola, një në 3-2 e vitit 1972 dhe në vitin 1969 shmang humbjen katër minuta nga fundi.
31. KALONI – Fatkeqësia e Interit, në vitin 1975 shënoi dy gola që sollën dy fitore.
32. IBRAHIMOVIÇ – Dy gola Interit, më pas do t’i shënojë katër Milanit. Një në Superkupën e vitit 2011.
33. BOATENG – Mes Milanit dhe Interit protagonist në dy finale. Në Superkupën e 2011-s vendosi ai.
34. SERZHINJO – Në derbin e 6-0 ai shënoi të fundit. Ndërsa në vitin 2002 ishte goli i tij që vulosi suksesin 1-0. Dhurata e tij për këtë skuadër, asistet.
35. DONADONI – Nga viti 1980 deri në vitin 2016 vetëm gjashtë milanistë kanë notë më të lartë se ai. Numëron 8 fitore në derbi dhe 1 gol të shënuar.
36. PIVATELI – Interi e skarcoi, ndërsa ai i shënoi dy gola me Milanin dhe një tripletë me bluzën e Bolonjës, në 90 minuta.
37. LEONARDO – Mars 1999, Milani rikuperon disavantazhin 0-2 në 2-2 me dy gola të brazilianit, që e lëshojnë “Djallin” drejt titullit.
38. P. ROSI – Paolo, me Milanin bën vetëm dy gola, por që janë shpëtimtarë në derbin e vitit 1985, i mbyllur 2-2.
39. SABADINI – Mbrojtës i viteve ’70, por në derbi shënon 4 gola, nga të cilët tre ishin decizivë.
40. LODETI – Vraponte sa për tre dhe dopietë në suksesin 3-0 të nëntorit 1964.
41. ARKARI – Derbit e viteve ’30. Piero shënon pesë gola mes viteve 1931-1936.
42. STAM – Goli në Champions vlen trefish. Vendos çerekfinalet e vitit 2005.
43. F. GALI – Super bilanc; 14 derbi, vetëm 2 humbje, më pak se kushdo nga emrat e tjerë të mëdhenj.
44. ALBERTINI – Dy gola dhe një që hap 5-0 e vitit 1998. Nota 6.2, njësoj si Rajkardi në histori.
45. PATO – Në vitin e titullit 2011, rikthimi i tij u vulos me fitoren 3-0, kur “Patoku” shënoi një dopietë.
46. ANOVAXI – Interist në gjak, por shënoi edhe tre gola për Milanin në vitet ’40.
47. GANZ – Gol i ish-it në vitin 1998, pastaj festimi historik për një penallti të fituar.
48. AMARILDO – Pesë gola në katër derbi radhazi, mes viteve 1964-1966.
49. RONALDINJO – Tek Interi kishte ardhur me bujë të madhe Murinjo, por Ronaldinjo i “dhuroi” humbjen portugezit, duke vendosur me kokë derbin, 1-0.
50. NILSEN – Goditja e dënimit e vitit 1998 do të shndërrohet në një kor të milanistëve për të sulmuar Interin. Goli i vetëm si kuqezi.

Lojtarët simbol të Interit

1. MEACA – Bomberi interist i derbeve, 12 gola, të 13-in e shënoi me bluzën kuqezi.
2. NIERS – Njëmbëdhjetë gola, shënoi në duelin historik 6-5 dhe vendosi me një tripletë personale 3- 0 e vitit ’53.
3. MILITO – Firmosi 6 pikët e sezonit 2009-2010, ndërsa shënoi edhe katër gola të tjerë në dy derbit e sezonit 2011-2012.
4. MACOLA – Shënoi gjashtë herë, goli më i shpejtë i historisë së derbit, pas vetëm 13 sekondash është i tiji, më 24 shkurt 1963. 5. BERTI – Fakti që është më “i urryeri” i të gjitha kohërave nga milanistët, e bën atë… krenar.
6. RONALDO – Bënte edhe Paolo Maldinin të dukej njerëzor, ndërsa me të gjithë të tjerët tallej.
7. ALTOBELI – Një “gjilpërë” e helmuar për kushërinjtë; 7 gola të shënuar.
8. BONINSENJA – Numri “9” më i fortë i të gjitha kohërave për Interin, pa asnjë diskutim. 7 “dardha” Milanit.
9. LORENCI – I vuri një limon poshtë topit që pritej të goditej nga Tito Kuçiaroni për të gabuar penalltinë. Misioni doli me sukses!
10. AMADEI – Interi humbte 4-1, ndërsa ai u zgjua, shënoi tre gola dhe përfundimi ishte një fitore historike 6-5 për zikaltrit.
11. SERENA – Pas tronditjes që mori nga Bajerni, shënoi golin që e dërgoi skuadrën te kampionati i rekordeve.
12. KORSO – Goditje dënimi dhe gol, Milani u përkul në gjunjë dhe i dha shkëndijën e duhur skuadrës për të përmbysur renditjen në favor të tyre dhe fituan titullin e vitit 1971.
13. ORIALI – Tasoti i vuri takat në fytyrë, hundë e thyer dhe fytyrë e gjakosur, por Lele vendosi derbin.
14. SIMEONE – Ka shënuar tre, njërin pasi “kalëroi” për 50 metra, plus një driblim ndaj Seba Rosit.
15. STANKOVIÇ – Katër gola dhe sa herë që shënonte ai, Interi fitonte.
16. SAMUEL – 10 fitore radhazi në 11 derbi milanezë të luajtur në Serinë A. Rekord!
17. KRUZ – I prishi festën Milanit, kampionëve të freskët të botës në vitin 2007.
18. BEKALOSI – “Mi chiamo Evaristo, scusa se insisto”. (Quhem Evaristo, më fal nëse këmbëngul), 2 gola dhe titull kampion i vitit 1980.
19. ZANETI – Derbi në karrierë ka luajtur 47, më mirë se ai vetëm Paolo Maldini.
20. BERGOMI – Një tjetër monument; 44 derbi dhe 2 gola kundër Milanit.
21. FAKETI – Dy gola dhe po aq fitore. 40 derbi të luajtur.
22. PIKI – 20 nëntor 1960; Milan-Inter 0-1. Vendos Armando Piki.
23. SUAREZ – Gjeniu i një Interi të papërsëritshëm; 3 gola kuqezinjve.
24. MATERACI – Shënon, acaron, heq fanellën, përjashtohet. Një tjetër simbol i derbit.
25. PALIUKA – 10 derbi, mesatarja e notës, 6.85. Absolutisht më i mirë në Serinë A, përfshirë edhe milanistët.
26. KAPRA – Tripletë në fitoren e parë të Interit; 5-0 më 6 shkurt 1910. 27.
SERANTONI – Vitet ’30; shënon 6 gola në katër derbi radhazi.
28. KAMBIASO – Edhe ai ishte një nga ata që prishi festën “botërore” të Milanit në vitin 2007. 29.
PALASIO – Vendosi derbin e 22 dhjetorit 2013, me një goditje me thembër në minutën e 86-të.
30. VIERI – Nuk ishte njeriu i derbeve, ndonëse golat dinte t’i shënonte, por ishte sërish ai bomberi që i trembeshin më shumë kuqezinjtë.
31. ZENGA – Një që mbyllej në shtëpi për ditë me radhë nëse humbte derbin. Tifoz i vërtetë!
32. ADRIANO – Dhjetë derbi radhazi pa fituar asnjë, por diti të dalë në sipërfaqe; dopietë personale dhe fitore 3-2.
33. KLINSMAN – Iu përgjigj Van Bastenit dhe përfundoi 1-1. Një nga gëzimet e rralla të epokës Orriko.
34. HULIO SEZAR – Interi mbeti me 9 lojtarë; ai i pret një penallti Ronaldinjos dhe e detyron Milanin që të ketë një ndjesi turpi.
35. MAIKON – Ai ose shënonte gola spektakolarë, ose nuk vraponte më kot në zonën rivale. Nga ato që do të mbahen mend i realizoi në suksesin 4-0 të gushtit 2009 dhe në 4-2 të majit 2012.
36. RUMENIGE – Një udhëtim i shkurtër, por intensiv. Dy gola në vitin 1985. Dhe në mars as që duhej të luante madje…
37. PANDEV – Shënoi golin e 2-0 në ditën në të cilën Interi fitoi derbin ndaj Milanit edhe pse me 9 futbollistë.
38. MINAUDO – I prish derbin e parë Silvio Berluskonit si president i Milanit.
39. DOMENGINI – Mes marsit 1965 dhe prillit 1967 shënon 4 gola në pesë derbi.
40. KANDIANI – Shënon shtatë herë për Interin mes 1939-1946. Pastaj kalon te Milani e dënon zikaltrit me tre gola.
41. DE MARIA – Gjashtë gola në derbi, dopietë në fitoren 5-4 më 6 nëntor 1932.
42. ZAMORANO – Spektakolar kundër Milanit të Roberto Baxhos; në vitin 2000 replikon kundër Shevçenkos…
43. BRANKA – Më 10 mars të vitit 1996 shtrin në tapet Milanin e Fabio Kapelos, i cili dukej sikur fluturonte me Zhorzh Ueahnë në fushë.
44. BREDI – Ai ishte frymëzimi i Altobelit dhe i Rumeniges, dhe jo më kot Milanin diti ta “godasë” në dy raste.
45. ZHAIR – 28 mars 1965; Inter-Milan 5-2 dhe Zhair hapi dansin e golave kuqezi.
46. ORLANDINI – Me dy gola në 180 minuta eliminoi Milanin nga Kupa e Italisë në vitin 1995.
47. MORIERO – Dhuroi një asist fantastik për Ronaldo da Liman në 3-0 e marsit të vitit 1998. Pas atij takimi, iu deshën tetë muaj që të shënonte.
48. BRIGENTI – Zhbllokon të dy derbit të sezonit 1954-1955, por Skiafino dhe Nordahl nuk ia lejojnë gëzimin që dy golat e tij të vlenin dy fitore.
49. GUARIN – Njeriu që ka firmosur derbin e fundit të fituar nga Interi.
50. GAMA – Mban firmën e tij goli i parë zyrtar i Interit në derbi, por në fund fitoi Milani 3-2.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

Shkeputur nga Panorama Sport

About the author