Situatë delikate te Bazeli, Xhaka bëhet çështje edhe në Zvicër

Është një nga mesfushorët më grintozë në Zvicër. Ka qenë titullar i padiskutueshëm te kampionët në fuqi të Bazelit për disa sezone dhe sigurisht që përbën temë diskutimi edhe për vetë analistët dhe legjendat e futbollist zviceran.

Taulant Xhaka është shndërruar në çështje edhe në Zvicër. Mesfushori i Kombëtares, jo vetëm me faktin që nuk takoi Panuçin, por po diskutohet më së shumti edhe për situatën e tij te kampionët në fuqi.

KOMENTI – Të ftuar në studio, ish-futbollistë të kombëtares zvicerane dhe të Bazelit në të shkuarën kanë deklaruar se situata që po krijon trajneri i ri, duke e lënë Xhakën në stol, nuk sjell asgjë pozitive për ekipin.

Sipas Paskal Zuberbëhler, ish-portierit të kombëtares helvete, shqiptari është një nga lojtarët më grintozë dhe me ndjeshmërinë më të lartë.

“Xhaka e ka merituar vendin në formacion me atë që ka dhënë për Bazelin gjatë viteve të fundit. Është një kafshatë e fortë për të që të mund të pranojë këtë situatë. Lojtari në këtë rast duhet të kishte tjetër trajtim nga trajneri.

Xhaka ka qenë një prej futbollistëve që e kemi parë të bëjë disa ‘punë’ në mesfushë, si dhe të bëjë edhe rolin e mbrojtësit të djathtë. Sipas meje, është një çështje delikate që po krijohet te Bazeli duke e lënë në stol që nuk do t’i shërbejë askujt”, është shprehur Zuberbëhler.

LOJTARI – Sipas analistit, shqiptari është një tip futbollisti grintoz që e ka treguar në disa situata se sa shumë dëshirë ka që të jetë në fushë.

“E patë çfarë ndodhi me Kombëtaren shqiptare, por unë nuk mendoj se ai do të ikë nga Bazeli nga kjo situatë. Xhaka është energjik dhe një djalosh që ‘i zien gjaku’.

Trajneri duhet ta zgjidhë menjëherë këtë çështje përpara se të nisë të krijojë probleme”, ka deklaruar ishportieri i kombëtares helvete në revistën televizive “Kick-Off”. /Panoramasport

About the author