Sheikët e “mbysin” në para, Guardiola gati të rinovojë kontratën

Drejtuesit e Man. City kërkojnë të blindojnë stolin duke i ofruar rinovim kontrate trajnerit Pep Guardiola. Të kaltërit janë duke bërë një sezon të shkëlqyer në kampionat duke udhëhequr bindshëm drejt titullit. Sheikët këtë sukses duket se duan të mbajnë gjatë duke siguruar së pari shërbimet e trajnerit katalanas.

Sipas të përditshmes britanike, “The Sun”, kontrata e re për Guardiolën është gati për t’u nënshkruar. Tekniku spanjoll do të firmos një kontratë deri në Gusht të vitit 2021. Për të arritur këtë marrëveshje, drejtuesit e Man. City janë të gatshëm t’i ofrojnë Guardiolës një pagë për rreth 22 milion euro në vit. Një shifër marramendëse që nuk mund të lërë pa tunduar trajnerin e Man. City. Ditët në vijim pritet të diskutohet drejt kushteve të rinovimit e për t’i lënë më pas vendin firmës që do të kushtojë disa miliona euro.

Guardiola ka bërë një punë mjaft të mirë me ekipin e të kaltërve. Në 27 javë të kampionatit anglez Manchesteri ruan kryesimin me 72 pikë. Ndjeksi më i afërt i tyre është kundërshtari i qytetit, Man. United me 56 pikë. Ndërsa në Champions Guardiola e ka pasur rrugën e lirë pasi nuk ka hasur një kundërshtar të fortë për të diskutuar triumfin.

Armend Pire – SHQIPËRIA.CH

About the author