Seria B / Sa shumë shqiptarë në fushë, njëri ndëshkohet me të kuq

Thuajse të gjithë futbollistët shqiptarë që janë pjesë e skuadrave të Serisë B kanë zbritur sonte në fushën e lojës, në ndeshjet e javës së 5 të këtij kampionati. Basha, Gjimshiti, Ujkani, Vajushi dhe Ndoj kanë luajtur të gjithë që nga minuta e parë me skuadrat përkatëse gjatë natës së sotme, ndërsa Çani ishte zëvendësues.

Migjen Basha kthehej përsëri në formacionin e Barit për herë të parë që nga muaji gusht, kur kishte luajtur për herë të fundit me këtë skuadër. I pozicionuar në qendër të mesfushës së skuadrës së tij ai ka dhuruar një parqaitje të mirë në ndeshjen që ekipi i tij e mbylli me një barazim pa gola përballë Ternanës. Për mesfushorin shqiptar u dha edhe një karton i verdhë në minutën e 67 të sfidës.

Një karton i verdhë dhe një pikë e siguruar me Pro Verçelin ishte edhe bilanci i Armando Vajushit gjatë natës së sotme në barazimin 1-1 në fushën e Beneventos. Për mesfushorin shqiptar, kjo ishte një tjetër paraqitje shumë e mirë, por ai nuk arriti të shkruante emrin e tij mes golashënuesve të sfidës.

Titullar ishte edhe Berat Gjimshiti, i padiskutueshëm si zakonisht te Avelino ku po tregon ndeshje pas ndeshje se është padyshim një nga mbrojtësit më të mirë të Serisë B dhe është thjesht kalimtar në këtë kampionat. Në ndeshjen ndaj kryesuesve të Çitadelës, ai ka qenë një nga pikat më të forta të skuadrës, duke eliminuar çdo rrezik para portës së ekipit së tij, sidomos në topat në ajër. Megjithatë, skuadra e Gjimshitit pësoi një tjetër humbje, këtë radhë me rezultatin 1-0, pas një goli të pësuar në minutën e 78 ndërsa më parë Avelino kishte shpërdoruar një penallti.

Samir Ujkani luajti nga minuta e parë sfidën që Piza barazoi pa gola në fushën e Frosinones, duke shpëtuar disa herë portën e skuadrës së tij. Ndërsa Edgar Çani u aktivizua vetëm në minutën e 83 të duelit në radhët e Pizës, pa arritur të lërë gjurmë në këtë takim.

Një protagonist i mirëfilltë i ndeshjes, por në aspektin negativ, ishte i riu Emanuele Ndoj. Në ndeshjen e tij të parë si titullar me fanellën e Breshias, 19-vjeçari është larguar nga fusha e lojës me karton të kuq në minutën e 52 të sfidës ndaj Karpit, e cila u mbyll me shifrat 2-2. /PanoramaSport

About the author