Sadiku asiston, Legia rikthehet tek fitoret…

Armando Sadiku nuk arriti të shënonte, por la gjurmë sot në fitoren e thellë që Legia e Varshavës arriti ndaj Piast Glivices. Ishte ndeshja e pestë në kampionat për Legian, që duhej të fitonte dhe të luante mirë, pasi presioni i javëve të fundit ka qenë i jashtëzakonshëm, për shkak të eliminimit nga Liga e Kampioneve në turin e tretë kualifikues, ndaj Astanës.

Pas humbjes ndaj Termalicës javën e shkuar, sot Legia bëri autokritikë, duke marrë një fitore bindëse, që e ngjit përkohësisht në vendin e gjashtë, me 7 pikë në 5 ndeshje, ende shumë larg pritshmërive.

Armando Sadiku e nisi nga stoli, por u aktivizua në minutën e 58-të.

Në minutën e 78-të Legia shënoi golin e dytë dhe një minutë më pas Sadiku u bë vendimtar për golin e tretë, sepse vodhi një top në afërsi të zonës kundërshtare dhe pastaj me një lëvizje të bukur nxorri të vetëm përballë portierit mesfushorin brazilian Gijerme, i cili nuk fali.

Në fundin e takimit Piasti shënoi golin e nderit, që gjithsesi nuk e zbehu fitoren e Legias, që gjen pak qetësi, por tashmë është sfida e së enjtes së ardhshme, kundër Sherif Tiraspolit, në turin play-off të Europa League.

Kualifikimi në grupet e Europa League është detyrim, për të rikuperuar humbjet e shkaktuara nga eliminimi në Champions.

About the author