Qazim Laçi debuton në Francë, Manaj afër kalimit tek ekipi i Serisë A…

Besnik Hasi i dha lejen që të mund të huazohej drejt Francës dhe Qazim Laçi po fiton minuta në skuadrën e tij të re. Mesfushori i Kombëtares Shpresa është një nga lojtarët që ka kontratë me Olimpiakosin deri në vitin 2019 dhe është i huazuar për një sezon te skuadra e Ajaksios në Francë.

Skuadra e shqiptarit është mundur në ndeshjen e dytë në kampionat përballë Brestit. Për Laçin, sfida ka nisur në minutën e 70-të. Futbollisti shqiptar, me gjithë dëmtimet e shumta që ka kaluar në të shkuarën, është duke fituar terren tashmë në skuadrën franceze ku do të mundohet të tregojë vlerat e tij gjatë këtij sezoni ku do të luajë si i huazuar.

MANAJ

Disa mundësi dhe disa skuadra që janë lakuar për transferimin e Manajt për këtë edicion, mirëpo deri më tani shqiptari është ende pa skuadër. Për Rei Manajn duket se së fundi ka një shpresë dhe një shans për të qëndruar në elitën e futbollit italian.

Kuptohet që jo me Interin e Spaletit, por së fundmi në skenë është shfaqur skuadra e Beneventos. Ekipi që është ngjitur këtë vit në Serinë A, ka nisur kontaktet me drejtuesit zikaltër për të marrë në formë huazimi sulmuesin shqiptar për këtë sezon.

Marrëdhënia e skuadrës zikaltër me këtë klub është shumë e mirë, duke qenë se në skuadrën e drejtuar nga Marko Baroni janë edhe dy lojtarë zikaltër:

Xhorxh Pushkash dhe Brajt Giamfi. “Sky Sport” ka bërë me dije se bisedimet janë drejt finalizimit dhe shumë shpejt shqiptari mund të ketë skuadër për të nisur përgatitjet për edicionin e ri. /Panoramasport

About the author