You are here
Home > Futbolli Shqiptar > Për t’u mos humbur/ Kreativiteti zero, ekipe shqiptare me emra pokemonësh deri te…”Galaksia”!

Për t’u mos humbur/ Kreativiteti zero, ekipe shqiptare me emra pokemonësh deri te…”Galaksia”!

Artikulli i mëposhtëm është një opinion i publikuar nga ana e “Periskopit”, ndërsa trajtohet një problem i madh me emrat e ekipeve shqiptare në Kosovë, të cilat lënë për të dëshiruar me kreativitetin e gjetjes së emrit.

“Sa herë që bëjmë fjalë për futbollin e Kosovës ndërmend na vijnë imazhet interesante të fushave me lloç në ditët e lagështa dhe të fushave të thata e të verdha në ditët e nxehta. Çfarë ngjyre ka një fushë futbolli? Të gjelbër, pa dyshim. Por, në Kosovë fushat ngjyrën e merr sipas motit.

Në ditët me shi ajo bëhet e gjelbër e errët, e shkarravitur me të kaftën e copave të lloçit. Në ditët me zheg përvëlues bëhet e verdhë, nga mungesa e pajisjeve për ujitje. Por, futbolli i Kosovës vuan tmerrësisht shumë edhe nga kreativiteti.

KF Vëllaznimi, KF Vllaznia, KF Vëllazëria. Kështu quhen tri ekipe të futbollit të Kosovës. Më tej, një ekip quhet Dardana, një tjetër Dardania dhe i fundit Dardanët.

Më tej, ka edhe emra të tjerë si “Bashkimi” të cilin e mbajnë dy klube nga dy qytete të ndryshme. Edhe “Dukagjinin” e mbajnë po dy klube.

Të njohura për sukseset e tyre në elitën e futbollit vendor janë edhe dy “Trepçat”. Njëra quhet “Trepça” e tjetra i ka vënë edhe një ‘89’ prapa që të dallohet nga e dyta.

Mësohet që ekspresionisti holandez Edvard Munch, e bëri pikturën e famshme “Klithma” pasi dëgjoi këta emra klubesh në Kosovë. Jeta është absurde, e tmerrshme, e rëndë!

Hysi e kishte edhe sponzorin edhe pronarin Hys

Por, emra të tjerë të përçudshëm vazhdojnë të dalin dita-ditës. Çka do të thotë emri Onix, për shembull, siç quhet një klub nga Istogu. Dhe, mos harroni që nuk keni të drejtë me rregulla të gjuhës shqipe që ta lexoni si Oniks, por si Onix. Periskopi e pyeti klubin për domethënien e klubit.

Sidoqoftë, në ndërkohë ne e morëm vesh se kështu quhej një personazh te seria e famshme e animuar Pokemon.

Pak më vonë, përgjigjja nga klubi Onix erdhi. Ata treguan se kah iu erdhi ideja gjeniale për emrin.

Përgjigja e tyre ishte interesante: “Onix eshte guri i quajtur onix ku aty edhe buron uji i nxehtë në banjë.”

Shpjegim interesant. Sigurisht ne do ta kuptonim për çka është fjala nëse ky emër do të shkruhej në mënyrë korrekte.

Guri në fjalë të cilit i referohet përfaqësuesi medial i klubit apo kushdo qoftë ai, në fakt shkruhet “Onyx”, por për pak se kemi këqyrë kurrë, a po?

Një tjetër klub futbolli quhet Galaksia. Pse, do të pyeste dikush? S’ka përgjigjje. Ndoshta se edhe ata duan të rriten si galaksia jonë. Të bëhen të mëdhenj sa Manchester City. Një tjetër, në kategorinë e grave quhet Bazeli 2015. Pastaj, ekziston edhe një tjetër me emrin IntelektualËt. E shihni Ë-në mes shkronjës ‘l’ dhe ‘t’? E vendosëm sepse nuk e kuptojmë pse të paktën emri i ekipit të grave nuk ishte “IntelektualEt”.

Ndërkohë, te djemtë e rinj, në kategorinë U-17 një klub futbolli e mbante emrin “El Clasico”, me gjasë si referencë për derbin më të madh të ekipeve spanjolle, Real Madrid dhe Barcelona.

Rrebet e pronarëve

Në vitin 2013 ose 2014, s’ka rëndësi, kampion i Kosovës në futboll u shpall Klubi i Futbollit “Hysi”. Domethënë, u shpall ekipi më i mirë në vend. Kjo sepse kështu thirrej shkurt pronari i klubit me emrin Hysni apo Hysen. E që e kishte edhe kompaninë me të njëjtin emër. Hysi pas disa vitesh, për fat të keq, do të shuhej.

Por, mjaft problematike ka qëlluar të jetë edhe financimi i klubeve tona nga ndërmarrjet publike e private të biznesit. Për shembull, Korporata Energjetike e Kosovës [KEK] që merret me prodhimin e energjisë elektrike, ka ekipin e saj me emrin KF KEK-u. Ngjashëm e kishim edhe kampionin e Kosovës në kohën e Milot Rashicës dhe Ismet Munishit, Llamkosin që mori emrin pikërisht nga kjo ndërmarrje. Edhe dy Trepçat e përmendura më lart morën emrin nga ndërmarrja metalurgjike Trepça. Pastaj, Ramiz Sadiku. Ballkani nga Suhareka. E kështu me radhë.

Harruam edhe Feronikelin i cili është një aliazh i hekurit që përmban 35 për qind nikel dhe 65 për qind hekur. Por, i cili emër i shërben edhe kampionit të Kosovës, KF Feronikelit, i cili megjithatë e mori nga ndërmarrja tashmë e privatizuar dhe e cila nuk dihet nëse e financon më.

Ja një fushë futbolli paksa e gjelbër. Por ku të ulesh, se?

Në futbollin evropian shohim emra qytetesh si emra klubesh. Edhe në Kosovë i kemi disa sosh. Prishtina, Gjilani, Deçani, Drenasi etj. E po ashtu, kemi edhe ekipe me motive patriotike. Bashkimi është një prej tyre. Emër patriotik është edhe 2 Korriku që ka një akademi të fortë. Dhe, veç këtyre, edhe Flamurtari i Prishtinës, Liria e Prizrenit e Besa e Pejës.

Kuptimi i banalitetit brutal

Mund të pajtohemi që emrat e klubeve të futbollit në Kosovë paraqesin një mungesë serioze të kreativitetit e autenticitetit. E me këtë, edhe të mendimit e të një vizioni të qartë.

Megjithëse numri i futbolldashësve në vend është tepër i madh, ekipet e futbollit të Kosovës nuk kanë tifozë. Fare pak prej tyre shkojnë nëpër stadiume, shumica prej të cilëve madje nuk kanë as bileta për të shitur.

Pikërisht kjo mungesë vizioni shpjegon pamundësinë që këto klube të tërhiqnin nëpër stadiume qindra-mijëra tifozët e futbollit dhe kësisoj, përmes biletash e reklamash, të financoheshin e të ndërtonin suksesin e tyre.  Të mos mposhteshin nga ekipe amatorësh prej Ishujve Faroe e Gjibraltarit.

Emri duhet të shpreh të paktën një element domethënës identiteti të një kolektivi, gjë që do t’i bënte tifozët lokalë të futbollit t’iu turreshin stadiumeve. Gjë që do t’i ngrohte tifozët e do t’i jepte kuptim këtij sporti, i cili tash e sa kohë është shndërruar thjesht në argëtim për biznesmenë të dështuar”.

 

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top