You are here
Home > Kombëtarja > Notat e Shqipërisë/ Balaj “e derdhi kupën”, po Uzuni përse është debutues?

Notat e Shqipërisë/ Balaj “e derdhi kupën”, po Uzuni përse është debutues?

Shqipëria e ka humbur takimin e djeshëm ndaj Izraelit, me rezultatin 2-0 në transfertë. Një dominim nga minuta e parë për kuqezinjtë, që nuk shkoi në mënyrën e duhur në fundin e takimit.

Tashmë Kombëtarja ka shumë pak shanse për t’u kualifikuar më tej nëpërmjet formatit të “Ligës së Kombeve”, ndërsa “Shqiperia.ch”, ka bërë një vlerësim të lojtarëve sa i përket paraqitjes së tyre në takimin ndaj Izraelit:

Strakosha (5)- Te goli i dytë nuk ka asnjë peshë faji të vetëm, ndërsa tek i pari mund të bënte diçka më mirë. Surprizohet po aq sa Mavraj nga “dinakëria” e izraelitëve, ndërsa merr rolin e protagonistit në fundin e pjesës së dytë, duke bërë dy pritje heroike për të mbajtur Shqipërinë në lojë. E dëmtojnë golat për t’u vlerësuar më shumë, sidomos i pari.

Hysaj (5)- Luan te Napoli dhe për këtë arsye sa herë që Shqipëria gjendet në fushë, Elseid Hysaj shikohet. Mbrojtësi shkodran nuk mund të bëj “vezën e kuqe”. Disa krosime të gabuara dalin shpeshherë prej tij, por edhe një perlë e dhënë për Balajn pas shpinës së kundërshtarëve, që harron të sulmojë topin për ta dërguar në rrjetë.

Gjimshiti (5.5)- Çfarë mbrojtësi dhe çfarë “mallkimi” për këtë njeri! Gjimshiti ishte i vetmi mbrojtës i pakalueshëm në fushë, një mur i vërtetë që nuk mund të thyhej. Megjithatë do të jetë gjithmonë protagonist i episodeve negative. Këtë herë ndaj Izraelit nuk del me të kuq, por devijon topin në mënyrë të pavullnetshme për ta dërguar në rrjetën e tij.

Mavraj (4.5)- Shiriti i kapitenit apo minutat e pakëta, këtë nuk e dimë, por diçka rëndonte te Mavraj. Një gabim në vendosje për të sjellë atë gol të çuditshëm të Izraelit në minutat e para, pasohet me të tjera gabime gjatë vijimit të lojës. Nuk është ende gati!

Binaku (5.5)- Një tjetër paraqitje pozitive e Binakut, krahu i majtë duket se i përket njeriut të duhur. Krosimet e hedhura në zonë nga ana e mbrojtësit janë të përllogaritura me preçizion, por asnjëra prej tyre nuk shfrytëzohet nga sulmi. Sa i përket mbrojtjes, nuk u vu asnjëherë në provë.

Taulant Xhaka (7)- Më i miri i kësaj Shqipërie! Vallëzonte me topin në fushë, por me shumë grintë dhe zemër. Kundërshtarët vazhdonin ta tërhiqnin nga fanella, por ai nuk ndalej. I afrohet një tjetër perle, por është mbrëmja e Harush. Shfryn me klithmën e një luani. Më shumë do të merrte, nëse do të shpejtonte me pasimet e tij në dy kundërsulmet e Shqipërisë.

Basha (5)- Është një gjeni për Kombëtaren, por këtë herë nuk ishte Basha që jemi mësuar të shohim. Gabime trashanike në pasime herë pas here, që ishin një dhuratë e çmuar për kundërshtarin. Del nga loja për një lëndim në pjesën e parë.

Memushaj (5)-  Sa shumë ka rënë edhe vlonjati në lojën e tij. Nuk duket askund në fushë, pavarësisht dëshirës për të treguar se gjendet edhe ai në të. I vetmi moment i Memushajt është kur i afrohet goli me një goditje dënimi nga brenda zonës, por edhe aty, mund të bëhej më mirë.

Uzuni (6.5)- Përse e quani debutues këtë njeri? Duket sikur ka një jetë të gjithën që luan për këtë Shqipëri. I saktë, i qartë dhe shumë i shpejtë në veprimet e tij. Topi asnjëherë nuk humbej nga Uzuni, por vetëm fitohej. Lodhet disi në minutat e fundit të ndeshjes, por është frymëmarrja për Kombëtaren. Çfarë lojtari kemi fituar!

Grezda (5.5)- Për t’u harruar kjo natë e Grezdës! Në 45 minutat e para na jep përshtypjen e atij lojtari të madh të krahut që Shqipëria ishte mësuar me të, por në të dytën kthehet në një “fantazëm”. Mban pafundësisht topin i vetëm dhe e humb atë, ndërsa shokët e skuadrës mund të kishin krijuar raste edhe më të rrezikshme. Shumë egoizëm në fushën e lojës, Grezda duhet të ndryshoj diçka në mënyrën e tij të lojës.

Balaj (4)-  Këtë herë kupa mund të quhet e derdhur. Balaj duhet ta kuptojë, është sulmuesi i Shqipërisë dhe me të duhet të shënosh edhe nëse nuk krijohet një rast i vetëm. Mënyra? Ashtu siç bënte Sadiku në Izrael, duke e shpikur vetë një realizim. Sa shumë servirje për Balajn dhe sa shumë shpërdorime nga shkodrani. Hysaj i dhuron praktikisht një asist fantastik, por sulmuesi harron të sulmojë topin në zonë.  Kombëtarja nuk e ka luksin e kohës, edhe sa duhet të presim që Balaj të gjej rrjetën? /Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top