Një shqiptar çmend Dinamon në mes të Zagrebit

Në Zagreb ekziston një derbi anormal, Dinamo-Lokomotiva, sfidë që konsiderohet qesharake në Kroaci, sepse Lokomotiva është praktikisht një filial ku Dinamo rrit talentet dhe dihet që në rast se Dinamos i duhen patjetër pikët, zor se ka surpriza.

Megjithatë, një e tillë ndodhi sot, sepse Lokomotiva arriti një fitore historike 4-1 brenda në Maksimir, ku ishin vetëm 1000 tifozë, si për të vërtetuar që është një derbi fals.

Megjithatë, ekipi i mbushur me të rinj i Lokomotivës mahniti, duke shfrytëzuar mungesat me motivimin e paktë të kryesuesve të kampionatit, që me sa duket kujtonin se do e gjenin fushë me lule.

Dy gola i shënoi një talent shqiptar, Lirim Kastrati, i cili është vetëm 19 vjeç dhe luajti ndeshjen e dytë sezonale me ekipin e parë të Lokomotivës. Sulmuesi i talentuar shënoi në minutat 44 e 67, por fitoi edhe penalltinë që siguroi golin e parë të ndeshjes për Lokomotivën.

Ndërkaq, goli i tretë i Lokomotivës erdhi sërish me penallti, për faull të shkaktuar nga Rrahmani.

Kastrati ka qenë pjesë e Shqipërisë U-17, por më pas zgjodhi Kosovën U-19 dhe ka debutuar edhe me Kosovën U-21, në nëntor në Azerbajxhan.

/Sportekspres

About the author