Një fshat arbëresh në festë për Kandrevën

Antonio Kandreva është një ndër lojtarët kryesorë tek Interi dhe te kombëtarja italiane, por për lojën dhe golat e tij duhet të krenohemi edhe ne, pasi Kandreva është me origjinë arbëreshe.

Gianlucadimarzio.com ka publikuar një artikull në lidhje me fshatin e origjinës së të afërmve të Kandrevës, i cili pikërisht në Shkodër na shënoi me fanellën e Italisë, para paraqitjes fantastike në derbin e Milanos.

Një javë e paharrueshme për mesfushorin, i cili ka rigjetur dashurinë e tifozëve në San Siro dhe është lojtar kyç edhe në kombëtare.

Tifozë specialë të Kandrevës ka edhe 1000 km nga Milano, në një fshat të vogël kalabrez, Falconara Albanese, ose Fallkunara në shqip, siç e thonë banorët arbëreshë të fshatit me 400 banorë.

Në këtë fshat të vogël ka shumë familje me mbiemër Kandreva dhe aty është rritur edhe gjyshi i futbollistit, edhe ai i quajtur Antonio.

Pas luftës në Libi, gjyshi Antonio u shpërngul në Romë, ndërsa në Fallkunarë shkonte për pushime, së bashku me të birin Marçelo dhe më pas me nipin Antonio, i cili në plazhet e Kalabrisë zbavitej me topin, duke luajtur futboll.

Në vitin 2015, kur luante te Lacio, Kandreva u kthye për vizitë te fshati i gjyshit, i impresionuar nga respekti i treguar nga njerëzit e atjeshëm ndër vite.

Një takim me kryebashkiakun, i cili në pallatin e qytetit ka ekspozuar fanellën numër 87 të Kandrevës me Lacion, ndërsa më pas Kandreva u shpall qytetar nderi, “sepse është një djalosh i drojtur dhe i përulur, që përfaqëson një pjesë të ndritur të komunitetit tonë”.

Tani në Fallkunarë presin edhe fanellën e Kandrevës në derbi. Do të ishte një dhuratë madhështore, nga një person i veçantë, që nuk është thjesht një futbollist me emër. /Sportekspres

About the author