Nishani: Fitimi nga kanabisi këtë vit është 2 miliardë euro

I ftuar në ‘Tonight Ilva Tare’, Presidenti i Republikës Bujar Nishani zbuloi shifrën e parave që qarkullon në Shqipëri nga tregu i kanabisit.

Institucionet shqiptare i kanë bërë me dije kreut të shtetit se kjo shifër arrin në 2 miliardë euro.

“Thirra mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Informacionet që vinë tek Presidenti tregojnë se mesatarisht është një përfitim për këtë vit prej 2 miliard eurosh nga trafikimi i lëndëve narkotike. Informacionet që vijnë, informacione zyrtare të shtetit shqiptar. Është ekonomi e zezë. Nëse dikush mendon që nuk duhet të alarmohemi sepse kjo mund të kthehet në pjesë të debatit politik, kjo nuk funksionon tek unë. Ne buxhetin e kemi 5 miliardë dollarë”.

“Nëse në vitet 2008-2009, sasia e deklaruar zyrtarisht nga autoritetet italiane e kanabisit të sekuestruar ishte 1.6 ton në vit, tani kemi 3-4 ton në javë. Kjo do analizë. Duhet të ulemi dhe të tregojmë platformë dhe aksion konkret. Situata është serioze. Nuk kam ndërmend të ul zërin dhe jo e jo të shuaj zërin institucional”.

Nishani, i cili nuk e ka fshehur ambicien për një mandat të dytë në krye të shtetit, ishte i ftuar në studion e ‘Tonight Ilva Tare’, në një intervistë për të gjithë përvojën e tij 5-vjeçare në krye të shtetit.

Gjatë intervistës, Presidenti theksoi se Gjykata Kushtetuese ka dërguar dy variante të përkthimit të ligjit të Vettingut në Komisionin e Venecias.

Nëse varianti i parë ishte në rregull, tha Presidenti, nuk kishte pse dërgohej edhe një variant i dytë.

Ai tha se përgjegjësitë duhet të dalin për këtë.

About the author