Ndryshime për Maqedoninë, Sadiku merr vendin e titullarit?

Xhani de Biazi ka pëlqyer provën e Cikalleshit, por sërish mungesa e finalizimit mbetet problem dhe, një ekip si Shqipëria, nuk mund të pretendojë të krijojë mbi 5 mundësi shënimi çdo ndeshje

Anton Cicani

Xhani de Biazi është duke menduar ende për formacionin që do të zbresë në fund ndaj Maqedonisë, ditën e hënë, në “Loro Boriçi”, edhe pse ka ende kohë deri sa të bëjë zgjedhjet përfundimtare. Fakt është që thuajse 80% e skuadrës është përcaktuar. Etrit Berisha do të marrë vendin në portë, ndërsa përpara tij, në mbrojtje, do të veprojnë katërshja Hysaj dhe Agolli në krah, ndërsa në qendër Mavraj dhe Gjimshiti. Kjo pasi Ajeti është i dëmtuar dhe nuk është grumbulluar, sepse kur mbrojtësi i Torinos të kthehet, do të jetë një tjetër histori. Sakaq, në mesfushë, Migjen Basha s’ka treguar formë të mirë atletike, ndërsa pritet që Memushaj të marrë në dorë organizimin, teksa Lenjani dhe Gashi do të konfirmohen të dy në krah. Në qendër pritet të luajnë Abrashi, Memushaj dhe Xhaka. Sa i përket sulmit, Armando Sadiku është favoriti në krahasim me Cikalleshin, ndërsa Balaj do ta nisë nga stoli.

Edhe në stërvitjen e djeshme, De Biazi është fokusuar kryesisht në këtë aspekt. Kombinime të shpejta në sulm dhe më pas finalizimi drejt portës. Trajneri italian kërkoi që lojtarët të tregohen sa më cinikë përpara portës. Xhaka, Balaj, Kaçe, Lila dhe gjithë pjesa tjetër e skuadrës shënjestruan katërkëndëshin pas aksioneve të shpejta me një takim.

Formacioni i mundshëm ndaj Maqedonisë (4-5-1)

Berisha

Hysaj Gjimshiti Mavraj Agolli

Gashi Xhaka Abrashi Memushaj Lenjani

Sadiku

/Sport Ekspres

About the author