Mos e shit votë për 1000 denarë

APEL PUBLIK Aleanca për Shqiptarët: Të nderuar Shqiptarë thuani JO shitjes së votës !

Të dashur shqiptar, Të nderuar votues,

Po afrohet momenti i kthesës së shumëpritur në politikë. Dita e zgjedhjeve kudo në botë paraqitet si ditë feste dhe gëzimi. Pikërisht se është dita e popullit dhe e sovranit që vendos. Është forca përcaktuese e popullit që vjen në shprehje në ditën e votimit. Është në dorën tuaj, në shpirtin tuaj, dhe në mirëqenien apo demoralizimin tuaj ekonomik dhe politik.

I dashur votues, ndoshta edhe ti ke dëgjuar, se ka shumë të tillë që janë pasuruar mbi kurrizin tënd, mbi votën e dorës tuaj të sinqertë dhe të pastër dhe që duan ta korruptojnë atë dorë me para për të blerë vota. I dashur votues, mos lejo që përcaktimin e ardhmërisë suaj, ta diktojë një cope letre e pa vlerë. I dashur votues, mos lejo që të turpërohesh para fëmijëve tuaj, sado që ti të kesh nevojë për para. Ata që tentojnë të blejnë të drejtën tënde për të votuar, janë pikërisht ata që ndoshta të kanë lënë pa para dhe pa të ardhme. Andaj thuaj JO çdo lloj forme të korrupsionit. Thuaj Jo, pasi ato para të vjedhura nuk mund të bëhen paratë me të cilët Ju do t’i ushqeni fëmijët tuaj që vet me sakrificën tuaj i keni rritur. Ata drurë të shpërndarë, nuk mund të ngrohin shtëpinë tuaj derisa kanë ftohur shpirtin tuaj!

Thuaj JO vasalëve politik, atyre që nuk kanë moral dhe dinjitet. Thuaj JO, se nuk mund të blejnë një popull të tërë që ka kaluar epoka shumë më të vështira dhe nuk janë shitur asnjëherë.

I dashur votues, Sot thuaj JO! Sot, thuaj Unë Jam Ndryshe!

About the author