Lojtari i përfaqësuses shpresa U21 vazhdon me Breshian në Serie B

Mesfushori qendror i Breshias, Emanuele Ndoj, pritej që të transferohej në Serinë A gjatë kësaj merkatoje, por Bolonja e cila kishte një marrëveshje paraprake me klubin aktual të futbollistit shqiptar, nuk e ushtroi të drejtën e blerjes së kartonit brenda afatit të rënë dakord. Edhe pse zërat për interesim nga skuadra të tjera të Serisë A nuk mungojnë, vetë 20-vjeçari duket i përqëndruar te përgatitjet me Breshian.

“Këtë vit jam duke punuar mirë dhe trajneri po më jep shumë këshilla. Shpresoj që të vazhdoj kështu dhe të jap gjithnjë më të mirën. Në mesfushë përshtatem në çdo pozicion, por duhet të them që roli i shkatërruesit më pëlqen, është më i vështirë, por edhe i bukur.

Në këtë pozicion duhet të prekësh shumë herë topin, të jesh gjithnjë në kohën e duhur dhe nuk është e thjeshtë, duhet personalitet. Merkato? Nuk di asgjë rreth saj, unë shpresoj që të bëj mirë te Breshia dhe ky të jetë viti i duhur për t’i dhënë emocione skuadrës, klubit, trajnerit dhe tifozëve”, u shpreh Ndoj.

Në sezonin që lamë pas, Ndoj u aktivizua në 17 ndeshje të Serisë B dhe në një ndeshje të Kupës së Italisë. Ai nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës për Breshian, por mundi të jepte një asist në barazimin 1-1 kundër Latinës në transfertë. Ndoj është gjithashtu pjesë e kombëtares shqiptare U-21.

/Panoramasport

About the author