Lazio merr një vendim të madh për Thomas Strakoshën

Paraqitja e mirë ndaj Milanit, në debutimin në Serinë A nuk kaloi pa u vënë re. Pas 90 minutëshit të luajtur në “San Siro”, Tomas Strakosha tashmë vlerësohet si portieri i dytë i Lazio-s.

Prej merkatos së verës dhe largimit të Etrit Berishës, pyetja më e rëndësishme në radhët e klubit italian lidhej me faktin se cili ndërmjet Vargic dhe Strakoshës do të ishte zëvendësuesi i Marchetti-t.

Një dilemë të cilën e kishte edhe trajneri Inzaghi, që deri në ndeshjen me Milanin nuk kishte dhënë për asnjë moment një përgjigje të saktë.

Kur Strakosha doli në nxehje në San Siro të gjithë u befasuan. Megjithatë 21-vjeçari kuqezi i bindi të gjithë dhe me paraqitjen ndaj Milanit ndryshoi hirearkinë e portierëve te Lazio.

Fakti që bardhekaltërit kanë mjaft besim te “gardiani” i Kombëtares shqiptare u kuptua, kur refuzuan ofertën e Cardiff, në orët e fundit të merkatos së verës. Tashmë, Strakosha pritet të luajë titullar edhe gjatë kësaj fundjave në sfidën kundër Empolit.

Tomas Strakosha ka një mbiemër që jep garanci, duke ndjekur gjurmët e babait Fotaq, por mbi të gjitha është një profesionist i jashtëzakonshëm.

Shqiptarët tani mund ti gëzohen Strakoshës së vogël të portës, që tashmë është bërë i madh. Theu të gjitha parashikimet duke u “graduar” portier i dytë te Lazio dhe ofron garanci për të ardhmen e Shqipërisë.

About the author