Lazio ka një super lajm për Strakoshën

“Nuk e di a do të jem gati për Empolin”. Kjo frazë e lëshuar para tifozëve nga portieri Federiko Marketi ndërsa hynte në klinikë për të bërë vizitat pas dëmtimit të pësuar para ndeshjes me Milanin, duket se ka vulosur faktin se Thomas Strakosha do të jetë përsëri titullar me Lacion në fundjavë.

Simone Inzagi ka besim të plotë te portieri i talentuar shqiptar, aq sa nuk ngurroi që ta aktivizonte para një lojtari me më shumë eksperiencë si kroati Vargiç, i cili në teori duhej të luftonte me Marketin për formacionin.

Fakti që debutimi i Strakoshës është vlerësuar pozitivisht edhe nga opinioni publik i ka dhënë edhe më shumë besim Inzagit, i cili nuk i trembet aspak aktivizimit të shqiptarit që nga minuta e parë. Duket se të gjithë janë të bindur se Strakosha do të ketë një të ardhme në futbollin italian dhe kjo ishte arsyeja kryesore pse askush në klub nuk u alarmua pas largimit të Berishës. /PanoramaSport

About the author