Lajm i mirë në horizont për Hysajn, afrohet rritja e rrogës

Një ditë pas barazimit përballë Interit që i hoqi nga duart kreun e klasifikimit të Serisë A, për Napolin ka ardhur një lajm që mund të shërbejë si ngushëllim. Klubi ka bërë të ditur se bilanci financiar i vitit të fundit është mbyllur me 66 milionë euro fitime, para të cilat do t’i japin mundësinë kësaj skuadre që të bëjë disa përforcime për sezonin e ardhshëm, që të vazhdojë të jetë pretendente në futbollin italian.

Sipas mediave italiane, plani i përforcimeve nuk ka të bëjë me blerjen e yjeve të rinj, pasi Napoli ka që tani një përbërje shumë cilësore. Ideja e klubit është që të blindohen yjet aktualë, për të vazhduar projektin me Sarrin në drejtim pa prishur grupin.

Kështu, gjatë verës do të mendohet që këto të ardhura, të cilave u shtohen edhe ato të sigurta nga pjesëmarrja në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve të vitit të ardhshëm, të shërbejnë për t’u mbushur mendjen futbollistëve të qëndrojnë. Për ta bërë një gjë të tillë, presidenti Aurelio De Laurentis është gati të rinovojë kontratat e lojtarëve titullarë duke u përmirësuar rrogat që t’u afrohen sadopak atyre në skuadrat kryesore në Itali.

Ndër të parët që parashikohet të përfitojë nga ky vendim është edhe Hysaj, i cili ka tre vite të mbetura në marrëveshjen që ka nënshkruar me klubin në vjeshtën e vitit 2016. Nëse lojtari do të rinovojë, rroga e tij pritet të pësojë një rritje të ndjeshme, ashtu si edhe kaluzola e largimit nga skuadra napolitane e cila aktualisht është 50 milionë euro. /vipsport.al/

About the author