Kursi UEFA A, ja kush janë trajnerët e diplomuar

Përfundoi kursi i radhës për liçensimin e trainerëve të nivelit UEFA A. Të gjithë teknikët prezentë në këtë kurs, për gjashtë javë me radhë, nga data 10 prill deri në datë 20 maj në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz iu nënshtruan edhe kursit intensiv në aspektin teorik dhe atë praktik. Ky kurs është niveli i dytë për nga rëndësia, pas shkallës më të lartë, atë të liçensës UEFA Pro. Dhe pikërisht në kursin e sapo përfunduar për UEFA A morën pjesë emra të njohur të futbollit, ish-lojtarë si: Lorik Cana, Bledi Shkëmbi, Suad Lici, Tiko, Gjoni, të cilët tashmë do të vijojnë me rrugën e trainingut në futboll. Nën koordinimin e Astrit Maçit dhe Alban Tafajit, dy zyrtarëve të sektorit përkatës në FSHF, sektor shumë voluminoz dhe me një program të mirëdetajuar në zbatim, edhe ky kurs mbylli siparin e tij me diplomat përkatëse. Lektorët e huaj që morën pjesë këtë radhë ishin: Profesor Ferretto Ferretti, si dhe profesor Renzo Ulivieri. Fereto është përgjegjës katedre i teorisë së metodologjisë sportive, ndërsa Ulivieri, Drejtor i shkollës në Koverçiano.

About the author