Kritikë e madhe e zvicerianit për Sadikun

Ish-sulmuesi i përfaqësueses së Zvicrës, Kubillaj Tyrkjillmaz, e ka cilësuar si të pakuptimtë dhe të rrezikshëm transferimin e Armando Sadikut te Legia e Varshavës. Në një prononcim për mediat zvicerane, ai tha se sulmuesi shqiptar kishte mundësi të bënte një figurë shumë të mirë në Gjermani ose në Francë.

“Nuk e kuptova mirë këtë lëvizje. Duhet parë se çfarë alternativash ka pasur, por besoj se ka ndikuar ana ekonomike e ofertës. Ka firmosur për një nga skuadrat më të forta në Poloni e cila mund të arrijë të kualifikohet edhe në grupet e Ligës së Kampioneve. Nuk do të ishte aspak keq për të fituar akoma më shumë eksperienca, por nëse do të isha në vendin e tij do të jepja maksimumin në këto 6 muajt e ardhshëm.

Të shkosh në Poloni është e rrezikshme sepse nuk është një kampionat me vëzhgueshmëri të lartë. Nga një anë më vjen keq sepse do të kishte mundësi të bënte mirë në Gjermani apo në Francë, por në futboll ndodhin shpesh ngjarje të papritura”, u shpreh Tyrkjillmaz.

About the author