You are here
Home > Futbolli Shqiptar > Kosova ka federatë, Vokrri i tregon vendin Serbisë dhe Crvena Zvezdës

Kosova ka federatë, Vokrri i tregon vendin Serbisë dhe Crvena Zvezdës

Marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë dihen, nuk ka nevojë për komente të tepërta. Serbët mundohen të ngacmojnë herë pas here me parulla të një kohe të vjetër, pasi Kosova është një realitet jo vetëm gjeografik dhe politik, por dhe në sport. Përfaqësuesja e Kosovës po merr rezultate dhe ka një grup të talentuar lojtarësh. Shpresat e këtij vendi i kanë surprizuar të gjithë duke marrë dhe barazime të mëdha siç ishte rasti me Gjermaninë, por dhe rezultate të tjera të mira. Pa harruar dhe sportin e xhudos, ku Kosova prin dhe botën me sportistë si Majlinda Kelmendi, apo Nora Gjakova.

Shteti serb dhe ekipet e këtij vendi sigurisht që nuk janë aspak të kënaqur me ecurinë pozitive dhe ngritjen e Kosovës. Klubi i famshëm i Crvena Zvezdës ka kërkuar leje nga Federata Kosovare e Futbollit për të luajtur miqësore me skuadrën e Graçanicës në Graçanicë. Ata kërkonin që të zhvillonin miqësoren e tretë në 3 vite, pasi në dy vitet e mëparshëm, FFK i kishte dhënë leje, por ndryshe ka ndodhur këtë herë. Përgjigjja e Federatës së Futbollit të Kosovës ka qenë “jo” e prerë.

“Po, ata kanë kërkuar lejen, por ne i kemi refuzuar dhe për këtë e kemi njoftuar edhe UEFA-n”, deklaroi presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, për “GazetaOlle.com”. “Në dy herët e kaluara përmes ish-zëvendëskryeministrit Stojanoviç patën premtuar se nuk do të ketë gjëra tjera përveç miqësores. Por, ata patën banderola politike dhe thirrje të ndryshme provokuese, prandaj për shkak të këtyre dhe sigurisë nuk iu kemi dhënë leje”, -shtoi Vokrri në fjalën e tij.

Ekipi i famshëm i Serbisë, Crvena Zvezda, morën leje dy vite më radhë për të luajtur miqësoren kundër Graçanisë në muajin maj. Ata deklaronin paraprakisht se do të ishin thjesht ndeshje miqësore dhe bamirësie, por në fund tejkalonin çdo parashikim duke kaluar në provokime politike. Drejtori i zyrës serbe për Kosovë, Marko Gjuriq, i cilësoi një turp vendimin e FFK-së, por në fund nuk mbetet gjë tjetër vetëm të themi bravo për Vokrrin dhe Kosovën. Jemi krenarë që vëllezërit tanë po rriten me hapa të vegjël, por të sigurt! /EDS

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top