Kjo Shqipëri është madhështore, krenohuni me heronjtë tanë…

Është mbyllur me rezultatin final 2-3 miqësorja midis Turqisë dhe Shqipërisë. Më tepër se një miqësore kjo përballje u cilësua si “ndeshje jete” ku rezultati pozitiv do të ishte ura e kalimit për eventet sportive që na presin vit pas viti. 

Kombëtarja e përgatitur me një seriozitet mjaft të lartë nga ana e teknikut Panuçi tregoi se profesionalizmi tashmë gjendet nën këmbët e djemëve kuq e zi. Ndeshja nisi një ditë përpara, që me dhënien e konferencave. Trajneri, kapiteni Berisha dhe lojtarët e grumbulluar ishin të gjithë me një synim në fjalën e tyre, fitoren përballë kombëtares turke. Dhe kështu ndodhi. Stadiumi në Antalja vuante disi nga infrastruktura. Ndonëse ishte i rrethuar edhe me flamujt e kuq dhe gjysmë hënën përkrah, kjo gjë nuk ndikoi në demoralizimin e lojtarëve kuq e zi. 

Shqipëria zbriti në fushë me formacionin 4-3-3. Në portë Berisha. Hysaj, Veseli, Mavraj dhe Lenjani mbulonin repartin e mbrojtjes. Përpara tyre në mesfushë qendronin Xhaka, Lilaj dhe Memushaj. Ndërsa sulmi udhëhiqej nga treshja Sadiku, Gerzda e Roshi. Testimi i kundërshtarit me sulme të një pas njëshme nga ana e të dy kombëtareve do të zgjaste vetëm 24′-minuta. Pas një shpërthimi në krahun e djathë nga ana e Roshit, ky i fundit dhuron një asist perfekt për Sadikun. 

Sulmuesi elbasanas i gjendur me hapsira të mjaftueshme e dërgon topin në rrjet me një goditje teknike dhe mjaft të fuqishme. Entuziazmi pushton gjithë pankinën kuq e zi dhe festa tashmë ishte përkrah lojtarëve tanë. Shumë shpejt rrejta do të tundej edhe njëherë nga po i njejti shënues. 

Në minutën e 39′-të Sadiku shënon sërish, këtë herë me kokë. Kombëtarja e Turqisë nisi të vuaj duke mos arritur të organizohet si duhet përballë kundërshtarit. Pjesa e parë veç dy golave dhe lojës fantastike të kombëtares sonë u mbyll edhe me një karton të kuq nga ana jonë. Memushaj ndëshkohet dy herë me karton të verdhë brenda dhjetë minutave si shkak i nervozizmit të tepruar. 

Pjesa e dytë do të niste me avantazh golash dhe disavantazh numerik për kombëtaren tonë. Turqia do të shënonte shumë shpejt golin e parë me anë të C. Under. Golit Shqipëria do t’i përgjigjej me gol. 

Këtë herë finalizues do të ishte Eros Grezda, i cili me disa triblime në zonë shtang portierin Babaxhan duke e dërguar topin në rrjet. Edhe pse të pakët në numër, kombëtarja tregoi minutë pas minute shpirtin luftarak që e karakterizoi për plot 90′-minuta. Turqia në minutën e 60′-të do të shënonte golin e dytë dhe të fundit për këtë ndeshje. Ndonëse heronjtë e vërtetë ishin dy golashënuesit, një tjetër hero qendronte në portë duke e ruajtur atë nga çdo goditje e rrezikshme. Gardiani Berisha ishte një ndër protagonistët kryesor të fitores së rendësishëm. Fal pritjeve të tij spektakolare ai mohoi për të disatën herë gola të sigurtë që vinin nga ana e turqëve.

Minuta lojë do të kishte edhe për të rinjtë e grumbulluar në kombëtare. Kamer Qaka, Naser Alij dhe së fundmi Astrit Ajdareviç do të zbrisnin në fushën e blertë për të luajtur në këtë miqësore. Për ta performanca e ofruar ishte tepër e kënaqshme duke menaxhuar rezultatin si dhe duke mbajtur të bllokuar sulmet e kombëtares së Turqisë. Pas vërshëllimës së fundit nga ana e arbitrit kuqezinjtë “pushtuan” fushën me festën e tyre të merituar duke u shprehur falenderues edhe teknikut Panuçi. Ndërsa për kombëtaren e Turqisë kjo natë do të jetë e gjatë pasi “Arnautët” fituan sërish me gjak.
Përgatiti: Armend Pire – SHQIPËRIA.CH

Për të gjithë të interesuarit për tu reklamuar në portalin e vetëm ku unfikohen trevat shqiptare, na kontaktoni në Shqipë[email protected]

Leave a Reply