You are here
Home > Futboll Bota > Këto janë kampionët e mëdhenj të cilët s’e fituan kurrë Championsin!

Këto janë kampionët e mëdhenj të cilët s’e fituan kurrë Championsin!

Champions League, një burim gëzimi dhe dhimbjeje për çdo futbollist. Të gjithë ëndërrojnë që një ditë të ngjiten në skenën më të madhe dhe pse jo, të mund ta ngrenë këtë trofe. Por nuk është diçka aq e thjeshtë. Nuk u ndodh të gjithëve, përkundrazi. Ekziston një listë kampionësh të mëdhenj, të cilët e kanë synuar për vite me radhë fitimin e këtij trofeu, por nuk kanë arritur që ta fitojnë. Ka nga ata që e kanë parë nga shumë afër dhe të tjerë të cilët maksimumi e kanë parë në ekran ulur në divanin e shtëpisë. Sigurisht, nuk është e domosdoshme një Champions për t’u bërë një legjendë. Por është e sigurt ama që për secilin nga këta kampionë Evropa mbetet një plagë e hapur.

RONALDO

Dy Topa të Artë, dy Kupa Bote (një prej të cilave e ka fituar si protagonist), një Kupë Kupash, një Kupë UEFA, një Kupë Interkontinentale… dhe asnjë Champions League. Luis Nazario da Lima, siç e njohim të gjithë Ronaldo apo më mirë akoma “Fenomeni”, nuk arriti kurrë të fitonte trofeun më të rëndësishëm kontinental. Gjithnjë… në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar, sepse vitet tek Inter, mes dëmtimeve dhe problemeve të tjera, nuk ishin të dobishme në këtë drejtim dhe ato që kaloi te Real erdhën në një moment rënieje në Evropë për “los blancos” pas tre fitoreve në pesë sezone.

PAVEL NEDVED

Një tjetër Top i Artë, që nuk e ka fituar Champions League, por Pavel Nedved i shkoi shumë afër. Gjithsesi, finalen e madhe të Mançesterit, ylli çek nuk e gëzon. Një skualifikim për shkak të kartonëve e detyron mesfushorin e palodhur të shohë ndeshjen si spektator, teksa Juventusi i tij u përpoq t’i rrëmbente Milanit trofeun. Por nuk ia doli dot dhe kështu u dogj edhe mundësia më e madhe për Nedved që ta fitonte një herë kupën me veshë të mëdha.

FABIO CANNAVARO

Kampion i Botës në vitin 2006, fitues i Topit të Artë për paraqitjen e tij të shkëlqyer në atë botëror, por… asnjë trofe të Champions edhe për Fabio Cannavaro. Madje, nuk pati as mundësinë për të provuar fatin, duke qenë se skuadrat ku ai luajti nuk luajtën në asnjë finale. Edhe 3-vjeçari me Real Madrid, që garanton konkurrencë të lartë në nivel kontinental, nuk i dhuron asnjë gëzim të tillë.

GIGI BUFFON

Nëse ka ndonjë, për fatin e tij të keq, që e di shumë mirë se çfarë do të thotë të humbasësh një finale të Champions League, ky është padyshim Gigi Buffon. Portieri legjendar i Juventusit ishte një hap larg lavdisë kontinentale për tre herë. Madje, në rastin e parë triumfi mund të kalonte nga duart e tij, por më pas i takoi Milanit. Më vonë, pas disa ulje-ngritjesh në Evropë, dy finale në tre sezone. Dy zhgënjime të tjera kundër Barcelonës dhe Real Madrid. Tani duket se do të kalojë PSG. Ku i dihet, mbase Gigi e ngre kupën në Champs Elysees…

ZLATAN IBRAHIMOVIC

Plot 11 kampionate të fituara në karrierë, një arritje e pabesueshme. Këtyre u shtohen edhe shumë trofe të tjerë kombëtarë dhe një Europa League. Por Champions-in, Zlatan Ibrahimovic e ka parë vetëm… në kartolinë. Edhe për të, zgjedhjen kanë qenë të gabuara, teksa u largua nga Interi për te Barcelona (për të fituar këtë trofe) pikërisht në vitin kur zikaltrit bënë Tripletën. Më pas, largohet nga Katalonja dhe kthehet në Itali te Milani, ndërsa Messi me shokë triumfojnë kundër Manchester United në vitin 2011. Edhe tentativat me PSG u thyen kundër një muri evropian.

MICHAEL BALLACK

Trofe kombëtarë? Me bollëk. Kampionate gjermane dhe angleze, një nga të cilat e ka fituar me Kaiserslautern. Por mos i flisni për Evropën, ose më saktë për Champions futbollistit Michael Ballack, pasi gjermani mund të marrë për keq. Dy finale të humbura nga ai, që të dyja të pafat. E para si lider i Bayer Leverkusen në ndeshjen kundër Real Madrid, që u vulos nga eurogoli i famshëm i Zidane. E dyta mbase edhe më e dhimbshme. Chelsea shkon vetëm 11 metra larg nga triumfi ndaj Manchester United, por kapiten Terry rrëshqet në pikën e bardhë dhe kupa shkon në Mançester.

RUUD VAN NISTELROOY

A mund të mjaftojnë 56 gola gjatë karrierës në Champions League për të ngritur të paktën një herë trofeun? Jo, nëse quhesh Ruud van Nistelrooy. Holandezi ka qenë tmerri i mbrojtjeve kontinentale me fanellën e Manchester United dhe del Real Madrid, por nuk iu afrua kurrë kupës. Edhe në sezonin 2002-03, kur shënoi 12 gola në 11 ndeshje, United shkoi deri në çerekfinale, ndërsa në katër sezonet me Realin nuk shkon më larg se 1/16-tat.

ROBERTO BAGGIO

Si të ndryshosh skuadër dhe të humbasësh një Champions: interpreton, Roberto Baggio. “Bishtaleci hyjnor” transferohet te Milani në vitin 1995, me kquezinjtë akoma të shokuar nga humbja e finales me Ajax-in, por të etur për të marrë revansh në kupat e Evropës. Mëkat që Champions-in në sezonin e parë të Baggio-s si kuqezi e fiton… Juventus, skuadër me të cilën “Topi i Artë” 1993 divorcohet mes polemikave. Sakaq, Milani nuk arrin të triumfojë më në Evropë gjate epokës Baggio (e ka fituar edhe një kupë UEFA) dhe t’i afrohet Champions./EDS/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top