Keidi Bare, tani kemi një yll botëror!

Gol ndaj Liverpulit dhe paraqitje fantastike në “Audi Cup”, turneu në Gjermani. Me merkaton e bllokuar, Simeone do t’I japë shanset e tij. Panuçi mban shënim dhe fërkon duart.

Që kur ishte fëmijë, ëndrra e tij e madhe ishte të luante në një stadium prestigjoz dhe me një ekip “big”, teksa në Akademinë e Apollonisë, zakonisht s’është e ndaluar të fantazosh edhe për të ardhmen tënde. Kështu ishte për Roshin, që megjithatë fatin e tij e pati në Gjermani me skuadrën e Këlnit, ndërsa sot është pikë kyçe e kombëtares.

Atë kombëtare të madhe që po ndjek edhe Keidi Bare, teksa Kristian Panuçi nuk ia ndan sytë, aq sa edhe ditën e sotme e ka hapur tv në dy kanale… Për sfidën Legia Varshavë-Astana, ku u aktivizua Sadiku, por edhe në sfidën miqësore mes Atletiko Madridit dhe Liverpulit, në Gjermani. Aty ku, çuditërisht, dy lojtarët që luajnë me dy klube të nivelit botëror (Bare-Atletiko dhe Hysaj-Napoli) sa i përket futbollistëve shqiptar.

Nga Fieri… – Por, të ndalemi te fieraku, i cili më 26 dhjetor 2013 do të kalonte në Akademinë e skuadrës madrilène, aty ku edhe do të niste ngjitja e tij dhe formimi si futbollist. “Scout” të Atletikos e kishin parë dhe vendosën se fieraku shfaqte në këmbët e tij një të ardhme të madhe, thjesht duhej “skalitur”… Detyrë jo e vështirë, për një klub që këto vitet e fundit ka prodhuar lojtarë të nivelit botëror: vetëm pak kohë më parë, Teo Hernandez kaloi te Real Madridi për gati 26 milionë euro… i rritur, edhe ai, në Akademinë “Rojas” të Atletikos.

Por, fiksimi i Diego Pablo Simeones shkon deri aty saqë, kur ka kohë dhe s’ka impenjime me ekipin e parë, të shkojë të ndjekë edhe ndeshjet e Atletikos B, ashtu sikurse edhe bëri. Shënime për Baren dhe, më pas, thirrja në ekip të parë. Stërvitje me yjet, teksa fieraku nis të mësojë edhe sekretet e tyre. Forcohet fizikisht, duke shtuar masë muskulore.

Sot, goli ndaj Liverpulit me kokë është vetëm një “kartëvizitë”, sepse Keidi sapo ka nisur të na mrekullojë. Shumë shpejt, do ta kuptojmë se pse…

Besimi – Kohë më parë, “AS” i dedikoi një artikull talentit nga Fieri, duke u ndalur te faza përgatitore që ai po zhvillon nën urdhrat e Simeones dhe te ndeshjet miqësore. “Keidi Bare është një nga ata futbollistë që ka gjithçka që i pëlqen Simeones. Agresivitet, intensitet, vrap, aftësi të rikuperojë topin dhe të bëjë trysni. Më 10 janar 2017 u bë nga Simeone futbollisti i parë shqiptar që vesh fanellën e Atletiko Madrid. Ishte kundër Las Palmas, në Kupë, me fanellën numër 44. Këtë verë, ai është një nga 5 lojtarët e akademisë që u zgjodh për të bërë fazën përgatitore në Segovia, por që u mor me vete edhe në Gjermani, në “Audi Cup”.

Shenja e fatit – Ishte pas një prej arritjeve të tij (debutimi në moshën 15-vjeçare në Kupën e Shqipërisë me Apoloninë e Fierit), kur Atletiko e bleu për ekipin e paraterinjve të vitit të dytë. Por nuk e regjistroi në klub derisa të mbushte 18-vjeç, për të mos u përballur me probleme. Tani është thuajse 20 vjeç, ka qenë pjesë e Kombëtares U-21 dhe në fazën përgatitore me ekipin e parë të Atletikos, ishte i dyti në testet fizike (pas Vrsajlko), si dhe shënoi një supergol në seancën e fundit të javës së parë”, shkruan “As”, duke vijuar…

“Serioz, shumë serioz në punë.Dhe i përqendruar, shumë i përqendruar, edhe pse argëton me pasime. Është nga ato futbollistët e rrallë, mund të luajë si një numër 6 apo një numër 8. Por kur avancon në pozicionin e tij, ia vështirëson lojën kundërshtarëve. i fortë fizikisht, di të mbulojë mirë edhe mbrapa. I mbetet vetëm të përmirësojë aftësinë për të bashkëpunuar me të tjerët, por për këtë mjafton Simeone, i cili bën gjithmonë më të mirë çdo lojtar. Dhe ai nuk ia heq kurrë sytë akademisë. Nëse ndokush shkëlqen, ai i beson. Kaio nuk është këtë vit, Keidi po. Ai është një lojtar që dhuron shumë orë lojë, i cili është koherent edhe në mënyrën e mbajtjes së topit.

Ai vazhdon të jetojë në konviktin e Atletiko Madrid, por ka një objektiv: të bëjë të mundur që familjarët e tij të vijnë të jetojnë në Spanjë, ëndrra e tij më e madhe”. /Sportekspres

About the author