Keidi Bare në turne kundër Napolit, Bajernit e Liverpulit

Keidi Bare vazhdon të konfirmohet gjithnjë e më shumë si pjesë e ekipit të parë të Atletiko Madrid. Mesfushori i përfaqësueses Shpresa vazhdon të grumbullohet për turnetë miqësorë në të cilët merr pejsë ekipi i parë, me të cilin përgatitet që prej ditës së parë të fazës përgatitore për sezonin e ri.

Javën e kaluar, ai ishte pjesë e grupit që udhëtoi drejt Meksikës për të luajtur një miqësore me Toluka. Ndërkaq, të martën në darkë ai do të ketë mundësinë të luajë një imqësore shumë më prestigjioze, pasi është pjesë e grupit që udhëton në Gjermani për të zhvilluar turneun “Audi Cup”.

Atletiko Madrid do të përballet në ndeshjen e parë me Napolin e Elseid Hysajt për një vend në finalen e turneut dhe në listën e lojtarëve që Simeone zgjodhi për këtë ndeshje figuron edhe emri i Keidi Bares. Ndeshja tjetër gjysmëfinale e turneut, që luhet përsëri me datën 1 gusht, do të jetë Bajern Mynih-Liverpul. Fituesit shkojnë në finale, ndërsa humbëset luajnë një ndeshje mes tyre për vendin e tretë, të dyja më datë 2 gusht.

Meqë luhet në dy ditë radhazi, do të ketë hapësirë aktivizimi për të gjithë futbollistët që trajneri Simeone ka marrë me vete në Gjermani. Ndaj pritet që në këto sfida, Bare të ketë mundësinë të tregojë talentin e tij në fushën e lojës kundër disa prej ekipeve më në emër të kontinentit. /Panoramasport

About the author