Java e shqiptarëve në Seria A, të gjithë titullar

Lojtarët shqiptarë po përjetojnë një moment të mirë në Serinë A, teksa shumë prej tyre janë kthyer në lojtarë deçizivë tek skuadrat ku aktivizohen. Vetëm Arlind Ajeti vijon të që drojë në stol. Për ndeshjet e fundjavës, thuajsë të gjithë lojtarët shqiptarë janë programuar si titullarë tek ekipet e tyre. Nga Hysaj tek Manaj, trajnerët italianë i kanë mbështetur shpresat dhe idetë e tyre tek lojtarët kuqezi.

Etrit Berisha – Portieri shqiptar po kalon një formë të shkëlqyer, teksa është kthyer në liderin e Atalantës këtë sezon. ‘Gardiani’ kuqezi me pritjet e tij i ka dhënë shumë herë fitoren bergamaskëve, teksa edhe për ndeshjen e së dielës në transfertën e Sasuolos, Gasperini do t’ia besojë atij katërkëndëshin zikaltër.

Elseid Hysaj – Pas disa luhatjeve dhe përplasjeve mediatike me trajnerin Sarri, Hysja është rikthyer të jetë ai i sezonit të kaluar. Mbrojtësi shqiptar është një garanci më shumë në krahun e djathtë, teksa për sfidën e nesërme ndaj Lacios në “San Paolo”, shkodrani do të ketë sërish vendin e tij të titullarit ashtu si në javët e fundit.

Ledian Memushaj – Duket se më në fund mesfushori vlonjat e ka gjetur formën e tij ideale në Serinë A. Memushaj që është edhe kapiteni i Peskarës, ishtë ndër më të mirët në fushën e lojës ndaj Milanit, duke treguar edhe aftësitë e tij si kapiten. Tashmë Masimo Odo jo vetëm që i beson një vend titullari, por edhe nuk e zëvëndëson më si në ndeshjet e para. Në ndeshjen ndaj Empolit ai pritet të udhëheqë skuadrën drejt një rezultati pozitiv.

Rey Manaj – Huazimi nga Interi duket se po i bën mirë talentit lushnjar, teksa trajneri Odo i Peskarës ka shumë besim tek aftësitë e tij. Në sfidën ndaj Milanit Manaj arriti që të gjejë edhe rrugën e rrjetës, por goli i tij u anullua për pozicion jahstë loje. Një dëmtim e mbajti jashtë fushave për disa javë, por tashmë Manaj është projektuar si titullar i përhershëm teksa ndaj Empolit të dielën ai do të jetë në fushë për të udhëhequr sulmin i vetëm.

Frederik Veseli – E nisi disi dobët këtë sezon tek Empoli, por tashmë Veseli po i bind të gjithë për aftësitë e tij. Mbrojtësi shqiptar është kthyer në një nga pikat më të forta të Empolit në parapvijë, teksa ka treguar një formë të shkëlqyer në çdo ndeshje që është aktivizuar. Edhe në sfidën e së dielën ndaj Peskarës së Memushajt e Manajt, Frederik Veseli do të jetë në fushën e lojës qysh nga minuta e parë. /Sportal

About the author