Ja çfarë thotë Ançeloti për Shqipërinë e De Biazin (VIDEO)

Karlo Ançeloti ka qenë i ftuar i veçantë i kryeministrit Edi Rama në një promovim të veçantë të librit të tij, “Quiet Leadership: Ëinning Hearts, Minds and Matches” (Lidershipi i qetë: Të fitosh zemrat, mendjet dhe ndeshjet).

Mes një paneli me disa nga figurat më të shquara të futbollit shqiptar, gazetarëve por edhe stafit të kombëtares kuqezi, Ançeloti dhe kryeministri Rama kanë diskutuar për atë që përmban ky libër, por edhe filozofinë e trajnerit të shquar italian, transmeton Panorama.

“Jam një person që kam një reputacion si i qetë. Shumë më thonë si ia bën të kesh miqësi me lojtarët. Po, unë mund të jem mik me lojtaret, flas me ta, i kuptoj. Por në fund mund t’i them pa problem se nesër nuk do të luash në formacion”, u shpreh Ançeloti, i cili tregoi se në zhvillimin e tij kishin pasur shumë rëndësi lidhja me Arrigo Sakin dhe periudha dyvjeçare te Juventusi.

“Unë asnjëherë nuk mohoj mjeshtrin. Saki ka qenë… fitova lotarinë kur takova Sakin. Me Sakin pata fatin që më peshkoi nga Roma dhe më çoi në një nga skuadrat ndoshta më të mëdha të botës. Përvoja me të nuk ishte aq shumë sa lojtar, por si trajner isha tre vjet asistent i tij dhe aty mësova profesionin. Përvoja të ndihmon në marrëdhënie por ka shumë punë të tjera për të bërë. Nga Saki kam mësuar shumë, mendoj që është një nga shkollat më të mira për trajnerë. Pastaj u nisa nga kjo ide dhe gjërat ndryshuan.

Nga përvojat e mbledhura ndryshoi mënyra e të menduarit kur fillova te Juventusi. Atje nuk dija kë të vija sulmues, kush të luante në krahë. Nga aty fillova të përshtatja sistemin e lojës. Unë mendoj se sistemi i lojës është i rëndësishëm. Në bazë janë parimet. Të gjithë duhet të punojnë. Lojtarët duhet të jenë altruistë, skuadra të ketë rëndësi. Unë kam qejf të theksoj karakteristikat e lojtarëve. Kjo do të thotë që unë duhet të gjej idenë se si ata të përfshihen në lojën që unë bëj. Kjo është të përpiqesh të vlerësosh në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka rrëfyer Ançeloti.

I pyetur nga gazetarët e pranishëm në sallë, rreth sugjerimeve se si kombëtarja shqiptare mund të mundte Italinë, Ançeloti preferoi të evitonte një përgjigje.

“Për këtë duhet të mendojë Xhani. Mendoj se hovi që ka pësuar Shqipëria në vitet e fundit është falë punës së Xhanit. Distanca mes skuadrave është ulur shumë, ka bërë një Europian shumë të mirë. Mendoj se çdo skuadër ka objektivin e vet, që lidhet me cilësinë e lojtarëve që keni në dispozicion. Unë mendoj se një skuadër e vogël klubi nuk mund të fitojë Champions, por mundet të bëjë futboll të mirë, zbavitës. Kjo mund të arrihet në çdo skuadër, edhe kjo është një fitore”, u shpreh ai.

Ndërkaq, De Biazi vlerësoi Ançelotin për atë që i kishte dhënë futbollit botëror. “Unë kam vlerësuar gjithmonë Karlon për aftësinë për të bërë gjëra të mëdha. Pa i rënduar të tjerët, mendoj se kjo është cilësia më e madhe. Ka pasur një mjeshtër të madh, Sakin, por pastaj karakteri bëri që ta çonte përpara lidershipin në mënyrë të qetë. Saki ishte ndryshe, ndërsa ti ke më shumë marrëdhënie me lojtarët dhe mendoj se është empatia që krijohet brenda grupit, krijon gjëra të rëndësishme. Kjo është madhështia e Karlos, si njeri dhe trajner, pas punës së tij është mënyra e tij të menduarit. Me këtë mendësi ka arritur aty lart, ka shëtitur të gjithë Europën dhe ky është vlerësimi më i madh për një kompetent si Karlo. Urime për karrierën dhe për këtë sezon”, u shpreh trajneri i kuqezinjëve.

“I kemi bërë ca ndeshje kundër, e kemi studiuar njëri-tjetrin”, ishte përgjigja e Ançelotit. “E pashë mirë Shqipërinë, shumë mirë në grup, por sidomos në kualifikuese. Po flisnim pak ditë më parë në mbledhjen e trajnerëve në UEFA se gjëja e bukur e këtij Europiani ishin të vegjlit si Shqipëria. Sollën në Europë një entuziazëm të madh dhe kjo është bukuria e futbollit. Në UEFA ka bërë përshtypje që fitoi Portugalia. Për ju, më vjen keq, pasi nëse barazonit ndeshjen e parë, do kalonit grupin”, tha ai.

Në diskutime është përfshirë edhe trajneri italian i Skënderbeut, Andrea Agostineli, i cili dukej i shqetësuar sidomos nga dieta ushqimore me të cilën ishin mësuar lojtarët në Shqipëri. “Unë për vete përshtatem”, ishte sugjerimi i Ançelotit. “Anglezët janë të çuditshëm, hanë vezë të skuqura para ndeshjes. Nëse pastaj luajnë mirë, ku është problemi këtu?”, ishte përgjigja e Ançelotit./Albeu

Për të gjithë të interesuarit për tu reklamuar në portalin e vetëm ku unfikohen trevat shqiptare, na kontaktoni në Shqipë[email protected]

Leave a Reply