EKSKLUZIVE/ Rubin Hebaj: “Me durimin dhe besimin në Zot, e mirëpres ftesën e Pannucit. Në Shqipëri mungon profesionalizmi”

Kjo është një intervistë ekskluzive e portalit Shqipëria.ch, realizuar me talentin shkodran të U-21 tonë, Rubin Hebaj.

Intervistoi: Klaudio Ndreca.

Rubin Hebaj ka kaluar në kampionatin slloven të futbollit me ekipin e Domzale. Pasi Cungu i besoi një 18 vjeçari asokohe, Hebaj nuk e zhgënjeu dhe e justifikoi besimin duke u kthyer në pikën më të fortë për Vllazninë. Tashmë Hebaj është larguar dhe po kthehet dalëngadalë në një pikë kyce për Domzalen, assistimet dhe golat e tij kohët e fundit janë shpeshtuar. Një emër më shumë për tu mbajtur mend, Pannuci duhet ta ketë letrën në dorë.

1- Largohesh nga Vllaznia dhe “djepi” po nis të lëkundet. Një minierë ari për klubet e huaja me talentet e saj, por një humnerë e thellë për vetveten. Pasuri e pashfrytëzuar, çfarë po shkon keq me këtë Vllazni në dijenin tuaj?

Hebaj: Me Vllazninë ka shumë gjëra që nuk po shkojnë në fakt këto vitet e fundit. Ka shumë kritika dhe refuzime, gjë që më parë ka ndodhur më rrallë. Por për mendimin tim, duhet të ketë vetëm pak më shumë organizim brenda ekipit. Kështu Vllaznia do të ndryshonte mjaftueshëm, por sigurisht që më e mira është që klubi të shkoj drejt privatizimit si të gjitha ekipet e tjera.

2- Tashmë në kampionatin slloven me ekipin e Domzale. Statistikat e tregojnë, Domzale në krizë rezultatesh por pa Hebajn shkon drejt “greminës”. Sa të vështirë e pati Hebaj përshtatjen në këtë ambjent?

Hebaj: Jo nuk është vetëm Hebaj që ndikon në këtë ekip. Nuk është se kam luajtur edhe aq shumë minuta sa duhet të luaj. Megjithatë është meritë e gjithë skuadrës çdo gol i imi, edhe pse në fakt këto kohë jemi në një moment të vështirë, ndodh në futboll kuptohet.

3- Eleminoheni nga kupa dhe në kampionat ndodheni në pozicion aspak komod. Cili ngelet objektivi i klubit tuaj?

Hebaj: Po është e vërtetë. Siç thashë dhe me parë jemi në një moment të vështirë dhe këto janë gjëra të futbollit, ndodhin, por objektivi i një klubi si Domzale ngelet gjithmonë me sytë drejt renditjes sa më lartë. Kampionati është ende i gjatë, ka shumë ndeshje por ne kemi lënë shumë pikë dhe kjo nuk duhej në këtë moment. Gjithsesi do luftojmë shumë për një vend në Europë.

4- Ndeshjet e fundit e keni “përshëndetur” shpesh rrjetën ose keni ndihmuar në gjetjen e saj. Hebajn e kampionatit slloven a mundet ta cilesojm si më të rritur nga ai shqipëtar?

Hebaj: Sigurisht, jam më i rritur si futbollist tashmë si në aspektin fizik por edhe në atë taktik. Kuptohet kjo vjen dhe për shkak të moshës, tek Vllaznia isha vetëm 18 vjeç dhe po luaja për herë të parë në futbollin profesionist. Çdo vit e më tepër merr eksperiencën dhe fiton gjëra të reja.

5- Meqë të gjithë kërkojnë të gjejnë dhe informohen mbi ndryshimet mes kampionatit shqipëtarë dhe kampionateve europiane. Për ty, kush është pika kryesore që e ndan në një farë mënyre futbollin slloven nga ai shqipëtar?

Hebaj: Profesionalizmi. Padyshim për mua kjo është pika kryesore. Në Shqipëri ka shumë pak profesionalizëm. Vitet e fundit janë bërë disa përjashtime me ekipe që e kanë kthyer futbollin në punë, me atë jetojnë dhe i përkushtohen në 100%, por të tilla duhen më shumë. Këtu nuk abuzohet as me ushqimin, rregjimin në asgjë.

6- Praktikisht i keni kaluar të gjitha moshat e kombëtares shqipëtare me rradhë. Tashmë në ndeshjet ndaj Spanjës dhe Italisë mundësitë për afrime të reja janë të pakëta për hir të së vërtetës, por a e prisni të jeni në listën e të besuarve të Pannucit për eleminatoret e europianit të ardhshëm?

Hebaj: (Qesh) Ka ende punë të shkosh deri tek Pannuci, rrugë e gjatë. Më duket vetja ende herët për të mbërritur deri në atë pikë, gjithsesi po të ndodh përse jo, një ëndërr më shumë e bërë realitet.

7- Keni ndonjë hajmali apo besim të vecantë që e praktikoni përpara ndeshjeve, apo të mjafton ai në vete?

Hebaj: Zoti. Unë kam besuar dhe vazhdoj të besoj njësoj në të. Më jep forcën e duhur dhe kurajon për të përballuar çdo gjë në këtë jetë. Përpara një ndeshje i lutem Zotit për shëndetin tim fillimisht, pastaj edhe për suksesin në profesionin tim të futbollit.

8- Në fund ëndërra e arsyeshme e Hebajt, deri në cilin kampionat shkon pavarësisht ekipit që mund të përfaqësosh?

Hebaj: Ëndërra ime është të luaj në TOP-5 europiane. Nuk mundet ta përcaktoj kampionatin por mundet të them një midis Spanjës, Anglisë, Italisë, Gjermanisë osë Francës. Përfaqësimi në liga të tilla elitare do të ishte kulmi për çdo lojtar.

SHQIPËRIA.CH

About the author