Gjimshiti: Kam oferta, por nuk kam vendosur asgjë

Berat Gjimshiti i është bashkuar në grumbullim kombëtares shqiptare të futbollit pa e ditur se pjesë e cilit klub do të jetë kur të mbarojnë ditët me fanellën kuqezi. Mbrojtësi i përfaqësueses ka konfirmuar për “Panorama Sport” se aktualisht po shqyrton shumë oferta, por për momentin nuk ka vendosur ende asgjë rreth të ardhmes së tij.

“Nuk ka asgjë të re. Jam në diskutime, por nuk kam vendosur për asnjë prej tyre”, tha futbollisti pas stërvitjes së paradites të kuqezinjve. Ai bën të qartë se për momentin nuk ka vendosur as në cilin kampionat do të vazhdojë karrierën e tij.

“Në Itali, në Gjermani, janë disa klube të ndryshme por nuk është vendosur asgjë. Nuk di të them ende se cila është skuadra ku do të vazhdoj, pasi asgjë nuk është e sigurt për momentin, as largimi”, tha ai duke lënë të hapur edhe mundësinë e qëndrimit te Atalanta që zotëron kartonin e tij.

Sipas mediave italiane, janë shpeshtuar diskutimet mes përfaqësuesit të lojtarit dhe drejtuesve të Avelinos që e kërkojnë me ngulm dhe duan ta mbyllin gjithçka sa më shpejt, pasi ka klube gjermane dhe spanjolle që po ndjekin futbollistin e përfaqësueses shqiptare./Albeu.com/

About the author