Gatuzo dhe Çani, bamirësi me skuadrën e Pizës për 7-vjeçarin shqiptar

Futbollistët e skuadrës së Pizës do të jenë të dielën të pranishëm si spektatorë në një turne të futbollit të moshave, ku do të kenë si objektiv të mbledhin fonde. Nuk bëhet fjalë për të siguruar të ardhura për vete, në një klub që është shumë pranë falimentit dhe ku lojtarët kanë kohë që nuk paguhen, por për të siguruar të ardhura për një familje shqiptare e cila ka një fëmijë 7-vjeçar të sëmurë.

Të gjitha biletat e këtij turneu do të kushtojnë 5 euro dhe të ardhurat do t’i shkojnë familjes së Klejdit të vogël, i cili vuan prej kohësh nga medulloblastoma dhe ka nevojë për kura të vazhdueshme dhe të kushtueshme.

Për të afruar sa më shumë tifozë, klubi i Pizës do të organizojë edhe një lotari me spektatorët ku fituesi do të marrë fanellën e Lores Varela, ndërsa do të shpërndahen edhe topa me autografet e futbollistëve. Një pjesë e lojtarëve kanë bërë të ditur se do të dhurojnë vetë disa shuma të konsiderueshme për të ndihmuar familjen shqiptare dhe vogëlushin.

Një prej personave më të prekur nga kjo histori, përveç shqiptarit Edgar Çani, është edhe trajneri Rino Gatuzo. Ky i fundit përveçse ka konfirmuar se do të bëjë një donacion për familjen shqiptare, në ditët e kaluara ka ftuar Kejdin e vogël në stërvitje duke e lejuar që të hynte në fushë bashkë me skuadrën dhe të luante e të bënte foto me lojtarët.

About the author